Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Zyra e Presidencës ka bërë gati një ligj që do të mundësonte heqjen e tarifave prej 10 për qind ndaj mallrave të importuara nga SHBA-ja, por se për miratimin e këtij ligji duhet fillimisht të konstituohet Kuvendi i ri.
“Ne e kemi gati ligjin që do t’ia propozojmë Kuvendit në momentin që konstituohet. Kam diskutuar me shumë deputetë, jam e bindur që do të kalojë”, tha Osmani në një intervistë për RTV 21.
Më 3 prill, Osmani i kishte kërkuar Qeverisë ta pezullojë tarifën doganore prej 10 për qind për mallrat nga SHBA-ja, një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, kishte vendosur tarifë të ngjashme ndaj importeve nga Kosova.
Vendimi i Trumpit përfshinte tarifa ndaj shumicës së vendeve të botës me tarifë bazë prej 10 për qind, por më të lartë për vendet me të cilat SHBA-ja ka deficit tregtar.