Presidenti amerikan, Donald Trump i ka kërkuar homologut të tij rus, Vladimir Putin, që të ndalet pas sulmit të së enjtes mbi Kiev, si pasojë e të cilit kanë mbetur të vdekur nëntë persona dhe të plagosur mbi 70, përfshirë fëmijë.
“Nuk jam i kënaqur me sulmet ruse në Kiev. Nuk ishte e nevojshme, dhe koha shumë e keqe. Vladimir, NDALU! 5.000 ushtarë në javë vdesin. Le ta përfundojmë Marrëveshjen e Paqes!”, ka shkruar Trumpi në Truth Social.
SHBA-ja ka intensifikuar kohët e fundit përpjekjet për të arritur një armëpushim në luftën e Ukrainës. Palët deri më tani kanë arritur marrëveshje të kufizuara të armëpushimit, për të cilat ato kanë fajësuar vazhdimisht njëra-tjetrën se po i shkelin.