Fushata elektorale ka krijuar një klimë të nxehtë jo vetëm për politikanët, por edhe për figurat e shquara të muzikës dhe medias, të cilët janë përfshirë në një përplasje të fortë mes rivalëve politikë. Sali Berisha, i cili nuk ka nguruar të sulmojë publikisht kundërshtarët e tij, ka hedhur akuza edhe ndaj këngëtarit Noizy dhe luksit të tij, ndërsa kërkon të përçmojë kalimin e tij nga një ideologji te një tjetër. Ndërkohë, një tjetër figurë e njohur politike, Tomor Alizoti, ka ngritur aludime dhe akuza për rivalët e tij, duke u shfaqur si një element i ri në skenën politike të Elbasanit.
Sali Berisha sulmoi gjithashtu edhe lamborginin e Noizyt, duke e përdorur si një mjet për të kritikuar të kaluarën e tij politike dhe kalimin te Edi Rama.
“Gjen edhe Noizin me lamborghini. Po lamborghini i Noizit nuk është pensione, nuk është rroga. Ai ta gëzojë, po ç’punë ka pensionisti me të, apo si ta mashtrojë?”, tha Berisha
Megjithatë, duket se doktori nuk është aq i shqetësuar për Lamborginin e Noizyt, sa për zhvillimin e infrastrukturës në Shqipëri, siç është Rruga e Arbrit. Një ditë më parë, Edi Rama i premtoi këngëtarit që me atë makinë do kalojë plumb pushke në Maqellarë, një zonë ku sot kalon vetëm me fuoristradë.
Por Berisha gjithashtu ka “yjet” e tij, të cilët e mbështesin në fushatë. Me përkrahës si djali i Fahriut dhe shpesh militantë të tjerë, si Stresi, ai mendon se rivalët e tij kanë disa nga figurat më të njohura, por beson se ato nuk do të mjaftojnë për t’i siguruar fitoren.
“Edhe Kamala mori të gjithë Hollivudin me vete, po përfundoi atje ku e meritonte.”
Kjo fushatë ka sjellë edhe figura të reja për demokratët. Një prej tyre është Tomor Alizoti, i njohur për kontributin e tij në fushatat e PD-së në Elbasan. Alizoti, i cili dikur shoqëronte doktorin në fushatën e Peqinit, tashmë ka shprehur shqetësimin për rivali i tij, Dash Sula, dhe ndikimin e tij në bazën e votuesve blu.
“Ka plasur xhelozia, prej dashurisë time me doktorin.”
Në fjalën e tij në Peqin, Alizoti kërkoi që qytetarët dhe fermerët të bashkoheshin për të votuar “ndryshimin” që ai beson se do të sjellë një “ndryshim epokal”.
“Ndaj dhe jam sot këtu për të kërkuar nga të gjithë ju, nga të gjithë qytetarët e Peqinit, të gjithë fermerët e Peqinit, të bashkohemi për të votuar ndryshimin. Me votën tonë, ne mund të bëjmë jo një ndryshim, por një ndryshim epokal.”
Nga Peqini, Alizoti u drejtua për në Gramsh, ku përkrah tenorin Armando Kllogjeri, duke theksuar rëndësinë e Gramshit dhe projekteve të ardhshme.
“I dashur tenori ynë i madh, Armando Kllogjeri, jeni krenari për Gramshin, Elbasanin dhe mbarë vendin. Ta dini, Gramshin do e kem me përparësi, me emergjencë. Me Armaldon, të gjitha projektet do i bëjmë.”