Drejtuesja politike e PD-së për diasporën, Jozefina Topalli, ka bërë thirrje të fortë për mobilizimin e votuesve shqiptarë jashtë vendit, ndërsa paralajmëroi për parregullsi në shpërndarjen e zarfeve me fletët e votimit, kryesisht në Greqi.
Në një deklaratë publike, Topalli falënderoi diasporën për pjesëmarrjen aktive në votim dhe e cilësoi kthimin masiv të zarfeve si një sinjal të qartë për ndryshim në zgjedhjet e 11 majit.
“Zarfet që mbërrijnë në Shqipëri nuk janë thjesht zarfe, por janë shpresa për 11 majin,” u shpreh ajo, duke shtuar se “kjo është një kthesë e madhe që po vjen nga mërgata shqiptare”.
Ajo dha edhe shifra konkrete për pjesëmarrjen: 62 mijë zarfe nga Italia, 22 mijë nga Greqia, 14 mijë nga SHBA, dhe 10 mijë nga Britania e Madhe, ndërkohë që pritet që numri të rritet edhe më tej.
Topalli u bëri thirrje atyre që ende nuk kanë votuar:
“Kush nuk e ka plotësuar ende fletën e votimit, apo nuk e ka dorëzuar zarfin, ta bëjë sa më shpejt. Vota e diasporës ka peshë.”
Ajo u ndal edhe te ata që nuk arritën të regjistrohen në kohë:
“I ftoj të bëjnë një sakrificë të fundit të vijnë fizikisht në Shqipëri në fundjavën e ardhshme dhe të jenë pjesë e ndryshimit të madh në vendlindjen e tyre.”
Ndërsa ngriti shqetësimin për problemet që po raportohen sidomos nga Greqia, Topalli tha se janë identifikuar raste të shpërndarjes së parregullt të zarfeve dhe i ftoi qytetarët të raportojnë çdo shkelje.
“Kemi ndjekur raportime të vazhdueshme, veçanërisht nga Greqia, ku ka pasur probleme serioze. Çdo informacion do të merret me përgjegjësi dhe do të përcillet menjëherë.”
Në fund, ajo shprehu mirënjohje për diasporën shqiptare në të gjithë botën, duke e cilësuar votën e tyre si një “cunam të vërtetë të ndryshimit për Shqipërinë”.