Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një takim përmbyllës të fushatës elektorale në Dibër. Berisha akuzoi Edi Ramën se në Dibër la shkollat pa fëmijë dhe shtëpitë bosh. Ai u bëri thirrje që më 11 maj të ndajnë Shqipërinë nga diktatura dhe mjerimi.
“Të dashur miq, u mblodhëm sonte në këtë miting, mitingu i fitores, mitingu me të cilin ju përcillni nga ky bulevard historik, që mban emrin e një burri të shquar të kombit, Elez Isufit, mesazhin e dashurisë për Shqipërinë dhe kombin.
Mesazhin e ndarjes me 11 Maj nga një e keqe e madhe që kaploi Dibrën, Matin mbarë Shqipërinë këto 12 vite.
Mesazhin e ndarjes me 11 Maj nga Pashiqi shqiptar, shqipfolës, i cili u bëri shqiptarëve të këqijat më të mëdha që ata kanë njohur në historinë e tyre. Çdo dibrane dhe çdo dibran, çdo shqiptare dhe çdo shqiptar me 11 Maj takohet me historinë.
Me 11 Maj merr vendimin e tij solemn për të ndarë Shqipërinë nga diktatura e krimit, drogës dhe mjerimit të shqiptarëve. Për të ndalur kombin nga një rrokullisje që nuk e ka njohur në shekuj me radhë.”, tha Berisha.









