Kandidati i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës, Pirro Vengu, në një takim me banorët e Radhimës, Tragjasit, Orikumit dhe Dukatit, theksoi se transformimi i Vlorës nuk ka mbaruar dhe se kërkesa për një mandat të katërt është jetike për të çuar përpara zhvillimin e nisur.
“Orikumi do të hyjë në një fazë transformimi akoma më të thellë, me përmbylljen e Lungomares më të gjatë të Mesdheut, ndoshta. Por ne jemi të vetëdijshëm se kjo nuk mjafton. Misioni ynë vazhdon, për të përmirësuar cilësinë e jetesës, turizmit dhe të gjithë komunitetit që jeton këtu,” deklaroi Vengu.
Ai theksoi investimet që janë bërë në 12 vitet e fundit, duke përmendur 100 milionë euro investime në vit në të gjithë qarkun, dhe ndikimin konkret të tyre në ekonominë e familjeve.
“Zhvillimi nuk është vetëm turizëm. Ne duam të ndërtojmë një ekonomi të dijes në Vlorë. Kemi të rinj, të reja, sipërmarrës e punëtorë të talentuar që meritojnë mbështetje,” theksoi Vengu
Një tjetër prioritet sipas Vengut, ështe energjia elektrike. Ai premtoi se Dukatit do t’i vijë radha shumë shpejt dhe se problemet me luhatjet e energjisë do të zgjidhen përfundimisht, pasi janë parashikuar në projektet dhe buxhetet qeveritare.
Vengu ndau gjithashtu vlerësimin për kandidatin Klevis Kaso, duke e cilësuar si një figurë të afërt me komunitetin dhe një zë të dëgjueshëm për qytetarët.
“Klevisi pa dyshim e meriton mbështetjen tonë. Ai ka treguar se di të dëgjojë dhe ka aftësinë t’i çojë përpara kërkesat që i janë besuar,” tha ai.
Në përmbyllje, Pirro Vengu theksoi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, duke i quajtur ato “epokale”, jo vetëm për përfshirjen e diasporës, por për kontrastin që krijojnë mes premtimeve dhe aftësive reale për t’i përmbushur ato.
“Me përulësi, ju kërkoj që të mbështesni numrin 5, të mbështesni Edi Ramën dhe Klevis Kason,” përfundoi ai.









