Kanididatja demokrate për deputete në qarkun e Durrësit, Jola Hysaj me anë të një postimi në rrjetin e saj social ka akuzuar Partinë Socialiste për vjedhje të votave në zgjedhjet e 11 majit.
Hysaj shprehet se ka rezerva në lidhje me fushatën dhe procesin e zgjedhjeve. Ajo thotë që javën që vjen do të pronocohet qartazi në lidhje me masakrën elektorale siç e cilëson.
Hysaj nënvizon se ky vend ka nevojë vetëm për qëndresë dhe jo për heshtje.
“A mendoni se unë nuk kam rezervat e mia për fushatën, për procesin, për gjithçka që ndodhi? Por sot nuk është momenti të përpëlitemi mes vetes. Na vodhën ditën për diell! Dhe Rama, për të certifikuar këtë turp, po përdor armën e vet më të vjetër: përça dhe sundo!
A është interesi kombëtar më pak i rëndësishëm se një, dy apo tre karrige? U dogj e gjithë shoqëria, dhe ne përsëri heshtim — flasim nëpër dhëmbë, ankohemi nëpër kafe, por nuk ngrihemi. Kërkojmë llogari nga të tjerët, ndërkohë që lejojmë Zeqinet e radhës të japin shou!
Ndërkohë që kutitë u mbushën me fletë me apo pa vula, ju gjeni kohë të mllefoseni… por jo të veproni?
Unë do të prononcohem qartazi javën që vjen. Por sot, ju them kaq: përballë një masakre elektorale, nuk ka më vend për ego, për mëri apo për heshtje. Ka vend vetëm për qëndresë.”, shkruan Jola Hysaj.