Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, paralajmëroi më 31 maj se Kina “po përgatitet në mënyrë të besueshme” që të përdorë forcë ushtarake për të përmbysur balancën e fuqisë në Azi, teksa u zotua se Shtetet e Bashkuara “janë këtu që të qëndrojnë” në rajonin e Indo-Paqësorit.
Shefi i Pentagonit i bëri këto deklarata në forumin vjetor të sigurisë në Singapor, teksa administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po përplaset me Pekinin për tregtinë, teknologjinë dhe ndikimin mbi vendet strategjike në mbarë botën.
Që kur mori detyrën në janar, Trump është përfshirë në një luftë tregtare me Kinën, ka tentuar që të ulë qasjen e Pekinit në teknologji kyç të inteligjencës artificiale dhe ka thelluar lidhjet e sigurisë me aleatë sikurse Filipinet, shtet që ka mosmarrëveshje territoriale me Kinën.
“Rreziku që paraqet Kina është real dhe mund të jetë i menjëhershëm”, tha Hegseth në dialogun Shangri-La, ku morën pjesë zyrtarë të mbrojtjes nga e mbarë bota.
Pekini “në mënyrë të besueshme po përgatitet për përdorimin e mundshëm të forcë ushtarake për të ndryshuar balancën e fuqisë në Indo-Paqësor”, shtoi ai.
Hegseth paralajmëroi se ushtria kineze po ndërton kapacitete për të pushtuar Tajvanin dhe “po kryen stërvitje për një skenar real”.
Pekini ka rritur presionin ushtarak ndaj Tajvanit – ishullit vetëqeverisës që Pekini pretendon se i përket – dhe ka mbajtur disa ushtrime ushtarake përreth ishullit, të cilat shpesh përshkruhen si përgatitje për bllokadë apo pushtim.









