Katër persona janë arrestuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që vepronte në Fier e Lushnje për trafikimin e armëve si dhe prodhimin, shitjen dhe kultivimin e lëndëve narkotike.
Përfaqësues të prokurorisë dhe policisë së Fierit bënë me dije se hetimet për këtë grup zgjatën për gjashtë muaj.
Përveç Fierit e Lushnjes, grupi kishte dalë jashtë këtij qarku, dhe vepronte edhe në Durrës, Shkodër, Kukës madje edhe jashtë territorit të vendit, në Kosovë.
Mësohet se më 2 Qershor janë zhvilluar 13 kontrolle në ambiente banimi, automjete, magazina ku janë gjetur municione dhe armë zjarri.
Gjatë këtyre kontrolleve u sekuestruan:
4000 fidanë kanabisi (2000 të mbjellë në tokën në pronësi të shtetasit B. B. dhe 2000 të kultivuar në kubikë);
3 armë zjarri automatike, 2 armë gjahu dhe 636 fishekë të kalibrave të ndryshëm;
5000 fara kanabisi;
2 radio si të Policisë, 2 uniforma policie, 1 maskë plastike me paruke;
3 automjete dhe 10 celularë.
Gjithashtu, në banesën e shtetasit N. O., në Durrës, u sekuestrua 1 armë zjarri pistoletë, të cilën ky shtetas tentoi ta hidhte nga dritarja, në momentin e ndërhyrjes së Policisë.








