Një shqiptare 45-vjeçare është goditur për vdekje në mes të qytetit në provincën e Meceratës në Itali, përpara syve të kalimtarëve.
Sipas të dhënave të para, autor i dyshuar i krimit është ish-bashkëshorti i saj Nikolaq Hudhra, i cili është ndaluar nga karabinierët. Ndërsa viktima është Gentiana Hudhra.
Sipas dëshmitarëve, ish bashkëshorti në fillim e ka goditur me thikë dhe më pas e ka shkelmuar dhe ajo ka rënë përtokë e plagosur dhe në fund ai është ulur në një stol aty pranë, duke e parë ndërsa ajo jepte shpirt.
Viktima, nënë e dy fëmijëve të rritur, ishte duke shkuar në punë kur u sulmua në afërsi të parkut të qytetit, një zonë ku kalonte përditë.
55-vjeçari dyshohet se ka pasur çrregullime të natyrës psikike. Ai aktualisht ndodhet në paraburgim, ndërsa priten vlerësimet mjeko-ligjore dhe hetimet për gjendjen e tij mendore.