Ministrja e Infastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku ka marrë pjesë në samitin për Tranzicionin Energjetik të mbajtur në Athinë.
Balluku u shpreh se ky samit kishte në fokus zhvillimet gjeopolitike të ndodhura në javët e fundit. Ajo tha se Shqipëria ka biseduar për linjën nënujore të transmetimit apo gazifikimin me ministrta nga Azerbajxhani.
Balluku nënvizoi se Shqipëria është e angazhuar jo vetëm në infrastrukturë por edhe në energji për ndërtimin e Korridorit të VIII, që do të lidhë Italinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.
“Energjia, ashtu siç tashmë ka treguar prej kohësh, është një nga armët më të fuqishme të të gjitha shteteve. Bashkërendimi i politikave, por, padyshim, edhe planet e përbashkëta për një të ardhme janë shumë të rëndësishme në këto momente.
Kemi diskutuar me skuadrën shqiptare gjatë këtyre ditëve me të gjithë partnerët tanë, të cilët janë pjesë e projekteve të reja që kemi nisur, ashtu siç janë për shembull kompanitë italiane përsa i përket linjës nënujore të transmetimit apo edhe kompanitë dhe ministrat nga Azerbajxhani përsa i përket projektit të gazifikimit, por mbi të gjitha kemi diskutuar për sigurinë energjetike.
Siguria energjetike në Europën Juglindore, dhe sidomos në Ballkanin Perëndimor, janë çelësat e suksesit për të gjithë zhvillimin e agjendës së gjelbër në vazhdim, ashtu siç Bashkimi Europian e kërkon.”, shprehu Balluku.