Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në aktivitetin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste në Elbasan, ku gjatë fjalës së tij është ndalur edhe te debati për projektet e investimeve dhe zhvillimit ekonomik në vend.
Në nisje të fjalimit, ai reagoi ndaj një parulle kundër projektit në Zvërnec, ndërsa më pas vijoi me një analizë mbi rolin e turizmit dhe investimeve të huaja në ekonomi.
“Ule atë, ule. Bravo! Thashë ta ulni atë parullën… Vlora, duke filluar nga ata që janë pjesë e atij zhvillimi, janë të gjithë për atë zhvillim. Mos i ngatërroni këto gjëra.
Mali i Zi nuk do të ishte ky që është sot, nëse projektet që sollën transformim do të ishin bllokuar. Nëse ato investime do të ishin penguar këtu, ne do të humbnim mundësi të mëdha ekonomike.
Turizmi i luksit nuk është problem, por motor zhvillimi. Resortet dhe hotelet sjellin të ardhura, punësim dhe rritje ekonomike. Ato krijojnë zinxhir ekonomik që përfiton gjithë vendi.
Në Mal të Zi, një projekt i tillë solli miliona turistë dhe mijëra vende pune. Ne nuk duhet të humbim të njëjtat mundësi. A jemi ne budallenj që t’i lëmë këto mundësi të na ikin?”









