Ksenofon Konomi, pronari i tufës me kuaj të qëlluar disa ditë më parë në malin e Llogarasë tha se policia nuk ka mbërritur në vendngjarje, pavarësisht denoncimit të tij.
Sipas pronarit të tufës, 22 kuaj janë qëlluar me armë gjahu, katër prej tyre kanë ngordhur menjëherë. Ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë në zonë, disa të lënduar dhe disa drejt ngordhjes për shkak të plagëve.
Ai apelon që ngjarja të hetohet me urgjencë dhe autorët të vihen para drejtësisë.
“Siç kam thënë dhe para dy javësh, nga 22 kuaj që ishin atje në malin e Llogarasë, janë goditur me armë gjahu, me çifte. Janë gjetur plumbat në trupin dhe kurrizin e kafshëve. Me veterinerin kemi shkuar, përveç policisë që nuk ka ardhur në vendngjarje”, tha ai.
Konomi u shpreh se në fillim kishte menduar se ishte sulm për kafshëte e egra, por kur ka parë plumbat në shpinën e kafshëve është tronditur.
“Më kanë prekur thellë. Me ata kuaj mbaja familjen dhe punën time, transportoja turistët. M’i vranë vetëm se pinin ujë te lerat. Dua që autorët të ndëshkohen,” është shprehur Konomi.
Përderisa gjen kafshët me plumba në kurriz, ku nuk të shkon mendja. Fillimisht mund të ishin dyshime se i kanë ngrënë kafshët e egra, po ku ka kafshë të egër me plumb në gojë? Kam shumë për të thënë, po nuk flas dot, jam në gjendje shumë të keqe.
Ata kishin tetë vjet atje dhe s’i kishte ngacmuar njeri. Nga na doli kjo kafshë me pushkë në gojë? Zoti qoftë dëshmitar. Çfarë konkurrence?! I qëlluan për 5 kuintal ujë… M’i vranë vetëm se pinë ujë te lerat,” tha ai për Euronews Albania.








