Një aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e së hënës në autostradën Egnatia në Greqi, ku një kamion është përplasur me dy automjete, duke shkaktuar vdekjen e tre shqiptarëve dhe plagosjen e një tjetër.
Në një nga makinat ndodheshin katër shqiptarë nga Athina, dy burra 59 dhe 61 vjeç dhe dy gra 57 dhe 49 vjeçe.
Tre prej tyre humbën jetën pasi automjeti u përfshi nga flakët, ndërsa 49-vjeçarja arriti të shpëtojë vetë.
Në makinën tjetër udhëtonin katër grekë, përfshirë dy fëmijë të vegjël, të cilët pësuan lëndime të lehta dhe u dërguan në spitalin e Komotinës.
Shoferi i kamionit, një bullgar, është në gjendje të rëndë shëndetësore. Pas përplasjes, zjarri u përhap edhe në një zonë bujqësore pranë autostradës.