Vendet e QUINT-it i kanë bërë thirrje Qeverisë në detyrë dhe partive politike në Kosovë të përmbahen nga “ndërmarrja e hapave të mëtejshëm” për pengimin e regjistrimit të partive të komunitetit pakicë për zgjedhjet lokale, një ditë pasi partisë më të madhe të serbëve në vend iu mohua regjistrimi.
Në një deklaratë të përbashkët të premten, ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e BE-së në Kosovë, shprehën shqetësimin e tyre pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e certifikoi Listën Serbe.
“Shprehim shqetësimin lidhur me përpjekjet e aktorëve politikë për të kufizuar garën midis partive politike që përfaqësojnë komunitetet pakicë para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit”, thuhet në deklaratë.