Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat mbi pjesëmarrjen e diasporës në procesin e votimit për zgjedhjet në Kosovë, deri në orën 13:00.
Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, në 26 përfaqësi diplomatike në 18 vende të botës kanë votuar 10,804 qytetarë nga 27,724 të regjistruar, që përbën rreth 38.97% të votuesve të diasporës që votojnë fizikisht në ambasada dhe konsullata.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se në orën 13:00 me orën lokale në Kosovë është hapur procesi i votimit edhe në përfaqësitë diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada.
Procesi i votimit në diasporë vijon në disa vende të botës, ndërsa autoritetet zgjedhore po monitorojnë pjesëmarrjen në kohë reale.









