Pas takimit me presidentin rus Putin, Vuçiç njoftoi se Serbia do të përmirësojë bashkëpunimin energjetik me Rusinë, përmes një tubacioni nafte që do të ndërtohet së bashku me Hungarinë.
Ai tha se do të mirëpresin investimet e kompanive ruse në projekte infrastrukturore, përfshirë edhe hekurudhat.
Gjithashtu, Vuçiç bëri me dije se deri në fund të shtatorit pritet të nënshkruhet një marrëveshje për çmime më të ulëta të gazit rus, që është burimi kryesor i energjisë për Serbinë.
Ai kërkoi nga Putin çmime më të mira dhe sasi më të mëdha, për të mbështetur qytetarët serbë.
Në bisedat e tyre nuk mungoi edhe tema e energjisë bërthamore, ku Vuçiç theksoi se në dekadat e ardhshme Serbia do të ketë nevojë urgjente për burime të reja energjetike, për shkak të zvogëlimit të rezervave të qymyrit dhe rritjes së konsumit.
Presidenti serb përsëriti se Serbia është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe se do të vazhdojë të ruajë neutralitetin. Nga ana e tij, Putin theksoi respektin për këtë qëndrim të pavarur.