Gazetari Rid Berisha, gjatë pjesëmarrjes në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo” në Report TV, analizoi tensionet në veri të Kosovës pas zgjedhjeve lokale dhe rrezikun e eskalimit të situatës nga ana e strukturave serbe. Ai theksoi nevojën për menaxhim të matur dhe përmbajtje nga veprime që mund të provokojnë tensione të panevojshme.
“Mund të hiqen simbolet e Kosovës vetëm për të krijuar viktimizim. Situata nuk është fare e lehtë. Në menaxhimin e kësaj situate nevojitet një politikë shumë e mençur, që të mos demonstrojë veprime të pakomanduara, vetëm për të provokuar serbët. Sepse ata kanë fituar 4 komuna në veri.
Ajo që presim është që serbët në veri do të përpiqen të përdorin çdo mekanizëm për të eskaluar situatën. Policia e Kosovës është aty për mirëkoordinimin, sepse nuk duan që ajo vijë të kalohet dhe të ndihen të kërcënuar,” shprehet Berisha.