Kreu i SPAK, Altin Dumani, njoftoi para Komisionit të Ligjeve se nuk ka ndërmend të rikandidojë pas përfundimit të mandatit të tij 9-vjeçar si prokuror i posaçëm. Megjithatë, ai kërkoi të shqyrtohet mundësia ligjore që prokurorët e SPAK të kenë të drejtën e rikandidimit pas përfundimit të mandateve.
Dumani theksoi se propozimi nuk lidhet me interes personal, por me garantimin e vazhdimësisë së institucionit. Ai sqaroi se brenda vitit 2028, mandati i të paktën 11 prokurorëve të SPAK do të përfundojë, gjë që mund të krijojë një boshllëk serioz në strukturë.
“Unë flas në emër të institucionit. A mund ta imagjinoni, në vitin 2028, të paktën 11 prokurorëve të posaçëm u mbaron mandati brenda 1 viti? Mund ta imagjinoni boshllëkun që krijohet. Vlerësoj se nuk kemi aq shumë burime njerëzore… dhe këta prokurorë kanë çështje që i ndjekin me vite të tëra,” tha Dumani.
Ai shtoi se partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Europian dhe SHBA-në, kanë investuar shumë në trajnimin dhe pavarësinë e SPAK, dhe humbja e prokurorëve të specializuar mund të ndikojë negativisht në këtë punë.
Dumani nënvizoi se nuk kërkon rinovim automatik të mandateve, por krijimin e mundësisë ligjore që prokurorët të rikandidojnë, duke ruajtur efikasitetin dhe pavarësinë e institucionit.