Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako, është dënuar nga GJKKO me 4 vite burg për korrupsion pasiv në çështjen e inceneratorit të Tiranës, por pas gjykimit të shkurtuar do të vuajë 2 vite e 8 muaj.
Gjykata urdhëroi lirimin e tij nga qelia, pasi koha në paraburgim tejkalon dënimin përfundimtar.
Sipas SPAK, Bllako ka përfituar rreth 120 mijë euro në mënyrë të tërthortë nga biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, përmes pagesave të lidhura me aktivitetin tregtar të familjes së tij.
NJOFTIM PËR MEDIAT
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “ Gjykimin e çështjes penale në lidhje me procedimin penal nr.255/2 të vitit 2020 të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me të pandehur Alqi Bllako, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, sipas parashikimeve të këtij neni para ndryshimeve me ligjin nr.43/2021, dy herë sipas episodeve përkatëse”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Rudina Palloj, Etleva Deda dhe Atalanta Zeqiraj, bazuar në nenet 112, 152, 261, 379, 380, 381, 390 , 403, 405, 406 të K.Pr.Penale dhe nenet 35, 47-57, 55, 259 të K.Penal, me vendimin nr. 69, datë 04.11.2025, vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Alqi Edmond Bllako, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, sipas kësaj dispozite para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021 (fakti penal për përfitimin e parregullt të shumës 119,715 euro) dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Alqi Edmond Bllako, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, sipas kësaj dispozite para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021 (fakti penal lidhur me përfitimin e parregullt për shtetasin V.B. në vlerën 7.520.000 lekë), dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.
3. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri Alqi Edmond Bllako dënohet me një dënim të vetëm prej 4 (katër) vite burgim.
4. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Alqi Edmond Bllako i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vite e 8 (tetë) muaj burgim. 5. Në zbatim të nenit 35, pg 1 të Kodit Penal, të pandehurit Alqi Edmond Bllako i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 5 (pesë) vitesh.
6. Llogaritja e dënimit fillon nga data e zbatimit të masës së sigurimit “Arrest në burg”, me datë 09.12.2023 dhe bazuar në nenin 261, pika 1, shkronja c) të Kodit të Procedurës Penale, konstatohet shuarja e masës së sigurimit “Arrest në burg”,caktuar ndaj të pandehurit Alqi Edmond Bllako me vendimin nr. 134, datë 07.12.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, për shkak se kohëzgjatja e paraburgimit është më e madhe se masa e dënimit të dhënë.
7. Urdhërohet lirimi i të pandehurit Alqi Edmond Bllako nga paraburgimi nëse nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër të ligjshëm.
8. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e vendimit.
9. Shpenzimet procedurale të bëra gjatë hetimeve paraprake (në mënyrë proporcionale me të pandehurit e tjerë të të njëjtit procedim) si dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit të deklaruar fajtor.
10. Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi. Tiranë, më datë 11.04.2025.
Gjykata dënon ish-deputetin Alqi Bllako për aferën e inceneratorit të Tiranës









