Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se gjatë numërimit të fletëvotimeve në Mitrovicë është vënë re një mospërputhje e numrave serikë me vendvotimet.
Sipas KQZ-së, një gabim i ngjashëm është konstatuar edhe në Gjakovë, por ky nuk ndikon në integritetin e procesit zgjedhor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se kompania përgjegjëse për shtypjen e fletëvotimeve ka pranuar mundësinë e një problemi teknik në printerin që vulos të dhënat variabile dhe do të japë sqarime të mëtejshme në ditët në vijim.
KQZ ka siguruar se numri i përgjithshëm i fletëvotimeve është i saktë dhe secili vendvotim ka fletëvotime me numra serikë që përputhen me listat e pranuara dhe të verifikuara. Elezi theksoi se fletëvotimet përmbajnë elemente sigurie që nuk lejojnë falsifikimin ose kopjimin e tyre.









