Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama mbi mungesën e ilaçeve për pacientët me sëmundje të rënda, duke e cilësuar kreun e qeverisë si “të papërgjegjshëm” dhe “të pamëshirshëm”.
Berisha akuzoi Ramën se ka kryer shpenzime luksoze për interesa personale, ndërsa ka lënë qytetarët me tumor pa medikamentet jetike. Sipas tij, vlera e barnave që mungojnë është shumë më e ulët sesa shpenzimet që, siç thotë ai, ka bërë kryeministri për udhëtime, evente dhe pajisje luksoze.
Në një deklaratë të fortë, Berisha tha:
“Të gjitha ilaçet e të sëmurëve nuk kushtonin as 1/5 e shpenzimeve personale të Edi Ramës. I ka shumëzuar njerëzit me zero para interesave të pushtetit.”
Ai shtoi se mungesat e barnave përbëjnë “krim kundër njerëzimit” dhe se qeveria ka bërë “tregti me ilaçe”, duke përmendur edhe gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit për abuzime në këtë sektor.
Duke komentuar atentatin e fundit në Aeroportin e Rinasit, Berisha mohoi deklarimin e Ramës se mungonin kamerat, duke thënë:
“Shqiptarët panë çdo gjë nga kamerat. Vetëm ti nuk i sheh, sepse do të mashtrosh.”
Sipas Berishës, qeveria ka humbur kontrollin dhe po gënjen qytetarët për çdo ngjarje, nga shëndetësia te siguria publike.








