Sot në orën 18:00, në stadiumin “Air Albania”, Shqipëria përballet me Anglinë në ndeshjen e fundit të Grupit K të kualifikueseve të Kupës së Botës 2026.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, foli në prag të ndeshjes Shqipëri-Angli, që do të luhet në stadiumin “Air Albania”.
“Anglia është një kundërshtar i fortë. Është skuadra e cila i ka fituar të gjitha ndeshjet e grupit, nuk ka pësuar asnjë gol, vjen si kryesuese e grupit tonë. Është për t’u respektuar maksimalisht, por gjithsesi ekipi ynë di të bëjë mirë edhe kundër skuadrave të tjera, megjithëse kundër Anglisë nuk kemi bërë mirë asnjëherë dhe shpresoj ta bëjmë sepse presioni është pothuajse inekzistent, pasi të dyja skuadrat e kanë siguruar ose e kanë marrë atë që pritej nga grupi, vendin e parë dhe vendin e dytë.
Por ta bëjmë sa mirë për të kënaqur spektatorët dhe pse jo për të bërë një rezultat historik. Ata që do të marrin më shumë kënaqësi nëse ne shkojmë në Botëror janë futbollistët, dhe ata duhet të luajnë për kënaqësinë e vet. Ata na kanë bërë krenarë me kaq sa kanë arritur, me pjesëmarrjen në play-off, me fitoren kundër Serbisë, me një performancë pozitive gjatë gjithë kualifikueseve dhe gjatë gjithë vitit 2025. Të mundohen ta shmangin presionin e madh ‘obobo kualifikimi në Botëror’ dhe ta shijojmë play-off-in për të marrë maksimumin, duke e shijuar në mënyrën më të mirë profesionale.
E vetmja gjë, e vetmi urim që kam, është që të mos kemi Kosovën përballë, sepse do të ishte vërtet një fatkeqësi për ne, për Kosovën të detyrohemi të sfidojmë njëri-tjetrin. Unë do të dua shumë që ne të vazhdojmë paralelisht që të realizojmë ëndrrën tonë për në Botëror pa u përplasur në asnjë moment. Uroj dhe dëshiroj shumë që të mos ndodhë për këtë arsye që thashë, që ne dhe Kosova të vazhdojmë, por nëse do të ndodhë, do ta mendojmë në momentin që ndodh”, tha Armand Duka.








