Erisa Xhixho, ka reaguar në lidhje me Diten e Rinisë, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite për të kujtuar guximin e të rinjve të vitit 1990.
Ajo e ka cilësuar këtë datë si një thirrje për reflektim dhe veprim, duke kritikuar pasigurinë dhe mungesën e mundësive që po përjetojnë të rinjtë shqiptarë sot, duke e quajtur emigrimin si “plagën më të madhe” të shoqërisë shqiptare. Xhixho theksoi se rinia po largohet për shkak të mungesës së mundësive dhe meritokracisë, dhe theksoi se kjo është një pasqyrë e dështimit të qeverisë.
MESAZHI I XHIXHOS
Sot është Dita e Rinisë – një ditë reflektimi, por mbi të gjitha një thirrje e fortë për veprim.
Sot kujtojmë guximin e të rinjve që në 1990 vranë frikën dhe hapën rrugën e demokracisë. Por 35 vite më vonë, rinia shqiptare po largohet masivisht sepse në vend të mundësive gjen pasiguri, propagandë dhe mungesë meritokracie.
Çdo vit mijëra të rinj braktisin vendin sepse ndihen të përjashtuar nga mundësitë: mungon arsimi cilësor, mungon një treg pune i drejtë e pa klientelizëm, mungon një shtet që i sheh si pasuri dhe motor zhvillimi — jo si pengesë.
Si pedagoge e kam parë çdo ditë në sytë e tyre dëshirën për të ecur përpara, në një vend që nuk ua jep më këtë mundësi. Emigrimi si shpresa e tyre e fundit është plaga më e madhe e shoqërisë shqiptare sot. Në 12 vjet kemi humbur gati gjysmën e të rinjve!
Ky është dështimi më i rëndë i kësaj qeverie: vrasja e shpresës.
Ndaj sot më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë jetike për energjinë, idealizmin dhe guximin e të rinjve për ta bërë atë një vend të mundësive për të gjithë e jo vetëm për një pakicë.









