-sidi education-spot_img
12.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Përpunuesit e qumështit po përballen me kërkesën e ulët

Kryesoret

Pritshmëria për rritje konsumi në muajt e verës nga turistët e huaj, e cila nuk arriti të realizohej, krijoi stoqe të mallrave të pashitura edhe te prodhuesit e produkteve të bulmetit.

Drejtuesi teknik i fabrikës së qumështit “VITA 2001 sh.p.k”, Taulant Pupa, pohoi se në muajt e verës grumbulloi stok të pashitur për djathin e bardhë. Produktin e grumbulluar nga mbiprodhimi, nisur nga parashikimet për më shumë shitje në verë, zoti Pupa tha se arriti ta shesë me ulje çmimi.

“Gjatë muajve të verës u krijua një sasi e konsiderueshme e produktit të pashitur, veçanërisht për djathin e bardhë. Tradicionalisht, në muajt e verës prodhohen më tepër mallra bulmeti, pasi gjatë sezonit turistik kërkesa rritet.

Por këtë vit, kërkesa rezultoi e njëjtë me vitin e kaluar, nuk pati rritje. Për shkak të kostove të larta që ka magazinimi i mallrave të pashitura, përfshirë mbajtjen e tyre në frigorifer, si dhe nevoja për likuiditet, na detyroi të heqim stokun e krijuar, duke e shitur me çmim më të lirë për sektorin HoReCa (Hotele-Restorante dhe Katering)”, thekson z. Pupa.

Sipas tij, pas përfundimit të muajve të verës, kërkesa për mallra bulmeti vijon të mbetet e njëjtë me vitin e kaluar duke marrë në konsideratë edhe ndryshimet demografike të viteve të fundit në vend.

Situata me kërkesën paraqitet e ngjashme edhe për operatorë të tjerë të industrisë së bulmetit, të cilët tradicionalisht shtojnë prodhimin gjatë verës për të magazinuar mallrat.

Një drejtues tjetër i fabrikave të përpunimit të qumështit tha se “gjatë muajve të verës nuk arritëm të heqim stokun e grumbulluar, për shkak të rënies së konsumit nga sa pritej. Për rrjedhojë, pas përfundimit të sezonit, nuk e shtuam prodhimin, nuk blemë më tepër qumësht prej fermerëve, me qëllim shitjen e mallit të magazinuar”.

Luis Ndreka, përfaqësues i kompanisë ADG (ish-Lufra) shton se kërkesa është në rënie, e ndikuar nga pakësimi i numrit të turistëve të diasporës dhe Kosovës.

“Kërkesa nga konsumatorët është tkurrur pak, ndërsa konkurrenca në çmime është rritur. Në lidhje me turizmin, ardhja e turistëve të huaj nuk ka sjellë efektet e pritshme.

Numri total i turistëve ka qenë i njëjtë me vitin e kaluar, por ka pasur ulje të turistëve shqiptarë të diasporës dhe nga Kosova. Kjo rënie, pjesërisht u zëvendësua me turistët e huaj, të cilët zakonisht nuk i parapëlqejnë produktet shqiptare të bulmetit, duke kërkuar më shumë produktet e vendeve të tyre të origjinës”.

Ofertë – kërkesa ul çmimin e qumështit në grumbullim

Shtimi i prodhimit të qumështit, i shoqëruar me rënie të kërkesës, veçanërisht gjatë sezonit të verës, po krijon sfida në të gjitha hallkat e zinxhirit të sektorit.

Së pari, çmimi i qumështit të lopës për grumbullim është ulur 10% krahasuar me çmimet në fillim të vitit, në disa zona me zhvillim blegtorie të Shqipërisë së Mesme.

Sipas të dhënave të tregut, për grumbullim, qumështi i lopës aktualisht shitet me çmim 56 deri në 63 lekë për litër (pa TVSH), në varësi të madhësisë së fermës. Në fillim të 2025-s, çmimet e qumështit të lopës për grumbullim në vend luhateshin nga 62 deri në 63 lekë për litër (pa TVSH).

Luis Ndreka, nga kompania e përpunimit të qumështit “ADG sh.p.k”, shpjegon se edhe pse konsumatori ka ulur lehtë kërkesën për produktet e bulmetit, ndikimi kryesor në rënien e çmimit të qumështit për lëndë të parë vjen nga rritja e ofertës në treg.

Kjo ka shtyrë grumbulluesit të ulnin çmimin e blerjes së qumështit nga fermerët, në përpjekje për të balancuar sasinë e ofertës me kërkesën (shitjet aktuale).

Në zonën e Juglindjes, sipas Taulant Pupës, çmimi i qumështit si lëndë e parë ka mbetur i pandryshuar, duke qëndruar në nivele 57 deri në 60 lekë për litër (pa TVSH). Z. Pupa thekson se aktualisht, prodhimi i qumështit të lopës është në rritje, por parashikon pakësim për vitet e ardhshme, për shkak të emigrimit të të rinjve.

“Në zonat e Juglindjes vihet re një rritje e numrit të krerëve të lopëve, kryesisht në fermat e vogla. Fermerët që më parë kishin 5 ose 10 lopë, kanë shtuar edhe 5 deri në 10 krerë të tjerë. Kjo rritje lidhet me qëndrueshmërinë dhe leverdishmërinë e çmimeve të shitjes së qumështit për grumbullim.

Megjithatë, shumica e këtyre fermave të vogla menaxhohen nga fermerë të moshës 60–65-vjeçare, pasi të rinjtë vazhdojnë të jenë të painteresuar për blegtorinë. Ky faktor, i shoqëruar me emigracionin, mund të ndikojë negativisht në të ardhmen e sektorit, duke rrezikuar uljen e prodhimit dhe mungesën e lëndës së parë për përpunim.”

Në vitin 2024, sipas të dhënave të INSTAT, pati rënie të sasisë së grumbulluar për qumështin e lopës, deles dhe dhisë, duke ndjekur tendencën e pakësimit të numrit të krerëve të bagëtive.

Në vend, vitin e kaluar, u grumbulluan në total 95 mijë tonë qumësht, nga 101 mijë tonë të grumbulluara në vitin 2023. Krahasuar me vitin paraardhës, sasia e qumështit të grumbulluar ra me 6,6%.

Qumështi i lopës përbën pjesën më të madhe të sasisë së grumbulluar prej industrisë së përpunimit. Në vitin 2024 u grumbulluan 75 mijë tonë qumësht lope apo 6,5% më pak sesa në 2023. Sasia e grumbulluar e qumështit të deles arriti në 12 mijë tonë, apo 9,7% më pak krahasuar me 2023.

Sasia e grumbulluar e qumështi të dhisë ishte rreth 8 mijë tonë. Në raport me 2023 u grumbullua 3.1% qumësht dhie më pak.

Për vitin 2024, numri i krerëve të kafshëve prodhuese për qumësht shënoi rënie në pjesën dërrmuese të qarqeve me tradita në zhvillimin e blegtorisë.

Numri i lopëve në vend, në vitin 2024, arriti në 224 mijë krerë nga 232 mijë krerë që ishte numri i tyre në 2023, me rënie 3,5%. Rënia e numrit të lopëve është shënuar në qarqet si Berat, Korçë, Gjirokastër, Shkodër dhe Elbasan. Ndërsa për qarqet Fier, Vlorë dhe Lezhë pati rritje të krerëve.

Rënie nëpër qarqe është shënuar edhe te numri i deleve. Qarku me rënie më të lartë është Berati, me ulje 17,2%. Në Qarkun e Korçës, rënia është 10% dhe në Qarkun e Vlorës, 4.7%. Në qarqet Dibër dhe Durrës rënia është 2,3% dhe 5,2%.

Në Qarkun e Elbasanit ka pasur rënie prej 4,6%. Kukësi ka rënë me rreth 2%. Qarqet me rritje të krerëve të deleve në vitin 2024 janë Fieri me 1,1%, Lezha, Shkodra dhe Tirana me rritje nga 2-5%, krahasuar me vitin paraardhës.

Luis Ndreka thotë se rritja e krerëve të lopëve dhe deleve për Qarkun e Fierit është ndikuar nga modeli i qëndrueshmërisë së kontratave që përpunuesit zbatojnë me fermerët.

“Në industrinë e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit, veçanërisht në Qarkun e Fierit, po konsolidohet modeli i kontratave 1-vjeçare, me rishikim të çmimit çdo 4 muaj, për të reflektuar ndryshimet sezonale dhe lëvizjet në tregjet ndërkombëtare”, nënvizon ai.

Bien edhe importet e qumështit

Sektori i përpunimit të qumështit po përballet edhe me një dinamikë të re. Për periudhën janar–shtator 2025, importet e qumështit ranë me 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Për 2024, sasia e qumështit të importuar shënoi rritje me 22% krahasuar me 2023.

Rënie ka shënuar edhe qumështi pluhur, importet e të cilit u ulën me 10%, për muajt janar-shtator 2025, krahasuar me vitin e mëparshëm.

Përpunuesit vendas shpjegojnë se rënia e importeve lidhet kryesisht me rritjen e prodhimit në fermat shqiptare. Në muajt e verës, kur tradicionalisht rriten importet për shkak të kërkesës më të lartë për lëndë të parë, sivjet pjesa më e madhe e kërkesës së tregut u mbulua nga fermat vendase.

“Importi ka rënë sepse prodhimi në vend është rritur. Rrjedhimisht edhe çmimi i qumështit në fermë ka rënë pak, duke e bërë më tërheqëse furnizimin vendas”, pohon Luis Ndreka nga kompania “ADG sh.p.k.”.

Edhe në Europë, ashtu si në Shqipëri, çmimi i qumështit ka rënë, i ndikuar nga presioni i tepricës së prodhimit dhe rënies së kërkesës për bulmet.

Qumështi i importuar nga vendet e BE-së dhe rajonit po tregtohet me çmim 45–54 lekë për litër (pa TVSH), duke shtuar presionin konkurrues ndaj furnizuesve vendas.

Në Europë, ulja e çmimeve ka ardhur edhe si pasojë e politikave tregtare të SHBA-së ndaj djathërave europianë, të cilat kanë kufizuar eksportet dhe kanë krijuar tepricë qumështi.

Kjo ofertë e lartë po ndikon zinxhirin e furnizimit në të gjithë rajonin, duke ulur çmimin e qumështit të importuar drejt Ballkanit.

Pavarësisht se sektori i përpunimit të qumështit po hyn në një fazë të re, ku rritja e prodhimit vendas, rënia e kërkesës dhe ndryshimet në tregtinë ndërkombëtare pritet të vazhdojnë të ndikojnë te çmimet e lëndëve të para dhe struktura e furnizimit gjatë muajve në vijim, përpunuesit theksojnë se kostot e prodhimit për ta vijojnë të mbeten të larta.

Faktori kryesor mbetet çmimi i lartë i qumështit vendas për lëndë të parë, krahasuar me çmimet e shitjes në fermat e Europës. Hendeku në çmime, sipas tyre, vijon të ndikohet tërësisht nga mungesa e ekonomisë së shkallës së fermave shqiptare dhe subvencionet më të ulëta.

Qumështi nga fermerët blihet me rreth 105 lekë për litër (me TVSH), ndërsa për prodhimin e një kilogrami djathë dele duhen 7–8 litra qumësht. Për rrjedhojë, kostoja totale për kilogram djathë arrin në 900–1000 lekë.

Sipas industrisë, çmimi i lartë i lëndës së parë, pagat në rritje, taksat dhe mungesa e subvencioneve shtojnë presionin mbi çmimin final të produkteve. Për rrjedhojë, përpunuesit nuk parashikojnë t’i ndryshojnë çmimet e shitjes për produktet e bulmetit.

Sfidë edhe cilësia…

Ilir Pilku, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Industrisë së Përpunimit të Qumështit, tha gjithashtu se për sektorin, sfidë kryesore mbetet cilësia e qumështit, ngarkesat mikrobike, mungesa e sistemeve të ftohjes në fermë, prania e mundshme e mbetjeve të antibiotikëve dhe parametrave fiziko-kimikë – faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë e produkteve dhe sektorit gjithashtu.

“Aktualisht, vetëm fabrikat që përpunojnë sasi të konsiderueshme qumështi dhe respektojnë standardet e larta të sigurisë ushqimore kanë investuar në laboratorë analizash dhe në pika grumbullimi, tanke ftohje dhe transport frigoriferik, investime thelbësore për standardizimin e cilësisë së qumështit të freskët.

Në lidhje me standardet e sigurisë ushqimore dhe teknologjisë së aplikuar, mund të themi që vetëm 10-15% të operatorëve përpunues të qumështit plotësojnë standardet ose kanë të njehsuar standardet dhe teknologjinë me ato të BE-së.

Certifikimet HAÇP, ISO 22000 apo IFS dhe BRC janë aplikuar me sukses në fabrikat elitare shqiptare, gjë që do t’u mundësojnë atyre të hynë në tregjet e BE-së në momentin e integrimit europian. Gjurmueshmëria, respektimi i rregullave të higjienës, laboratorët modernë dhe automatizimi i linjave i sigurojnë këta sipërmarrës një rritje të efikasitetit dhe sigurisë ushqimore për konsumatorët.

Ndërkohë, situata e baxhove të qumështit në Shqipëri (fabrikat e vogla dhe të mesme të përpunimit) është komplekse, me sfida strukturore por edhe me mundësi të mira zhvillimi, vetëm nëse do të arrihet të investohet për të plotësuar standardet e BE-së.

Megjithëse ekziston një traditë e fortë në prodhimin e djathërave dhe kosit, ndërkohë që cilësia e qumështit mbetet e paqëndrueshme dhe shumica e baxhove operojnë nën një teknologji të vjetruar, pa laboratorë, dhe kryesisht pa standarde të sigurisë ushqimore”.

Ndërhyrjet e qeverisë për ulje kostosh dhe formalizim

Me qëllim formalizimin e zinxhirit të tregtimit të produkteve bujqësore dhe uljen e kostove të prodhimit, me paketën e re fiskale, qeveria synon të rikthejë skemën e kompensimit të TVSH-së në bujqësi, por jo përmes faturave të blerësve, si veprohej në skemën e mëparshme, që u shfuqizua në janar të 2022.

Me skemën e re synohet që fermerët të kompensohen me 10% të TVSH-së së paguar për blerjen e inputeve bujqësore. Pra fermerët do të përfitojnë kompensim 10% të TVSH së paguar për inputet bujqësore (për farat, pesticidet dhe fidanët).

Prej vitit 2019 deri në dhjetor 2021, TVSH-ja për inputet bujqësore ka qenë zero. Nga 1 janari 2022, pas miratimit të ndryshimeve fiskale, hyri në fuqi vendosja e TVSH-së 10% te çmimet e inputeve bujqësore.

Në relacionin e draftit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, ‘Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar” theksohet se me normën 10% synohet të kompensohen prodhuesit bujqësorë për një pjesë të TVSH-së që paguajnë për inputet, në funksion të realizimit të prodhimeve të tyre bujqësore.

Masa e re fiskale vlerësohet pozitivisht edhe nga Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit. Drejtori ekzekutiv i shoqatës, zoti Ilir Pilku, thekson se ndryshimi pritet të ndikojë pozitivisht për formalizimin e tregtimit të mallrave bujqësore dhe uljes së kostos për prodhimin e tyre.

“Kompensimi i fermerëve për TVSH-në e paguar është një instrument financiar i njehsuar me vendet e BE-së. Për të kompensuar fermerët për TVSH-në e pakompensuar mbi inputet, Shqipëria ka hartuar një skemë me normë të sheshtë që u lejon atyre të ngarkojnë një normë të supozuar (përafërsisht të barabartë me normën efektive të TVSH-së mbi inputet në të gjithë sektorin) në shitjet e tyre ndaj kompanive të tatueshme të përpunimit bujqësor apo grumbulluesve.

Kjo është e harmonizuar me grup-nenet 295–305 të Direktivës 2006/112 të BE-së për rimbursimin e TVSH-së për fermerët e vegjël dhe të mesëm, shtetet anëtare të BE-së aplikojnë një kompensim me normë të sheshtë për të rimbursuar fermerët që nuk janë tatimpagues të rregullt të TVSH-së, e cila varion mesatarisht me 10%.

Kjo nismë jo vetëm do të ulë kostot e prodhimit, por do të mundësojë edhe formalizimin e këtij sektori, i cili operon në një sistem fiskal të pakontrolluar”.

Kërkesa e industrisë

Përballë shtimit të kostove, kryesisht për shkak të çmimit të lartë të qumështit si lëndë e parë, që në Shqipëri blihet më shtrenjtë sesa në vendet e BE-së, kompanitë përpunuese po kërkojnë ndërhyrje nga qeveria.

Përfaqësues të industrisë kërkojnë barazimin e TVSH-së në 10% për blerjen dhe shitjen e qumështit, një masë që, sipas tyre, jo vetëm do të ulte presionin financiar mbi fabrikat e përpunimit, por edhe do të parandalonte rritjen e çmimeve të produkteve të bulmetit për konsumatorët.

Kërkesa e Shoqatës së Industrisë së Përpunimit të Qumështit për përgjysmimin e TVSH i është dorëzuar Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

“BE-ja aplikon norma të reduktuara të TVSH-së për ushqimet bazë, zakonisht në intervalin 5–10%, ndërsa disa shtete anëtare që përdorin edhe normë 0% për kategoritë më të ndjeshme të produkteve ushqimore, si buka, qumështi, vezët dhe frutat e freskëta.

Objektivi i kësaj politike është të mbështesë konsumatorët, të ulë kostot e jetesës dhe të garantojë akses universal në ushqime të shportës.

Kjo do të mundësojë barazimin e TVSH-së në blerje të qumështit nga fermerët e paformalizuar nga njëra anë dhe TVSH-në në shitje nga ana tjetër.

Ajo që dua të theksoj është që integrimi europian, plotësimi i kritereve të kapitullit 12 të BE-së, do ta transformojë të gjithë zinxhirin blegtoral nga ‘ferma në tavolinë’ me unifikim standardesh, gjë që do të rrisë ndjeshëm konkurrencën, por edhe mundësinë për të penetruar në tregje elitare europiane”, argumentoi Ilir Pilku për kërkesën e industrisë.

Të ardhurat e kompanive

Për vitin 2024, të ardhurat e kompanisë “ADG sh.p.k.” u rritën me 12% krahasuar me 2023. Ndërsa fitimet e kompanisë u shtuan me 13% në raport me vitin paraardhës, sipas të dhënave të QKB-së.

Për operatorin “ERZENI sh.p.k.” të ardhurat në 2024 u rritën me 14% krahasuar me 2023. Fitimet e kompanisë u zgjeruan me 13% në raport me vitin paraardhës.

Të ardhurat e kompanisë “Gjirofarma” për vitin 2024 ranë me 11% krahasuar me 2023, ndërsa fitimet u rritën 56%.

Të ardhurat e kompanisë “Mireli” për vitin 2024 ranë me 7% krahasuar me 2023. Fitimet e kompanisë ranë me 6%./ Monitor

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit