Policia e shtetit është në gadishmëri të plotë për festat e fundvitit ku dhe është angazhuar maksimalisht për të garantuar sigurinë publike përmes një plani masash.
Plani i masave
-shtimin e prezencës së shërbimeve policore me uniformë dhe atyre të Policisë Kriminale në territor, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimin e ngjarjeve të mundshme kriminale;
-menaxhimin dhe ofrimin e shërbimeve në PKK-të gjatë hyrjeve/daljeve të shtetasve në territorin e vendit, duke shtuar sportelet dhe burimet njerëzore në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Në pikat tokësore, do të intensifikohet bashkëpunimi i ndërsjellë me homologët, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore, shmangien e radhëve të gjata dhe sigurimin e lëvizjeve të njëtrajtshme në të dyja anët e kufirit;
-rritjen e kontrollit në pikat e kalimit kufitar dhe shtimin e patrullimeve në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare;
-intensifikimin e masave për monitorimin e qarkullimit rrugor, duke përdorur mjete inteligjente shpejtësimatëse, dronë, alkooltestues, si dhe shtimin e patrullave të lëvizshme të Policisë Rrugore në të gjitha qendrat urbane dhe akset rrugore urbane e interurbane, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave te sigurisë rrugore.
-bashkëpunimin me organet e pushtetit vendor dhe drejtuesit e institucioneve fetare për mbarëvajtjen e ceremonive festive për Krishtlindje dhe Vit të Ri, si dhe koordinimin e veprimeve me Policitë Bashkiake në qarqe;
-rritjen e prezencës së shërbimeve të Policisë në shëtitore, pedonale, objekte kulti dhe sheshe publike, në të gjitha bashkitë e vendit, për të garantuar mbarëvajtjen e festimeve gjatë natës së Krishtlindjes dhe gjatë ndërrimit të viteve;
-shtimin e masave për mbajtjen nën kontroll të rendit dhe sigurisë në ambiente te ndryshme, restorante, lokale dhe qendra tregtare që kanë frekuentim të lartë qytetarësh, me qëllim parandalimin e konflikteve dhe ngjarjeve kriminale;
-sigurimin në kohë të informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim për ngjarje kriminale dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale;
-intensifikimin e kontrolleve ndaj subjekteve që tregtojnë lëndë piroteknike (fishekzjarre, kapsolla), në bashkëpunim me strukturat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit dhe me strukturat e tjera ligjzbatuese;
-rritjen e gatishmërisë dhe shtimin e shërbimeve policore në banka, zyra të këmbimit valutor, qendra tregtare, tregje te ndryshme dhe objekte të tjera ku administrohen vlera monetare dhe materiale;
-bashkëpunimin me shërbimet private të sigurisë fizike (SHPSF), për përforcimin e masave te sigurisë së objekteve, si dhe gjatë shoqërimit dhe transportimit të vlerave monetare.
Ndërkohë, shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Reparti Special RENEA do të jenë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment, në rast se do të jetë e nevojshme.
Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të krijuar një ambient sa më të sigurtë për të gjithë qytetarët dhe në këtë kuadër, i fton ata të bashkëpunojnë me shërbimet e Policisë, duke denoncuar ne numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie apo indicie për konflikte, përgjatë ditëve dhe netëve festive.









