Në kuadër të Forumit Ekonomik të Delfit, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha u takua me homologun grek, George Gerapetritis për të vijuar dialogun konstruktiv mbi forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke.
Takimi sipas zyrës së shtypit, riafirmoi angazhimin e përbashkët për të avancuar bashkëpunimin dypalësh në frymën e besimit të ndërsjellë, fqinjësisë së mirë dhe partneritetit strategjik, me fokus të qartë në të ardhmen evropiane të të dy vendeve.
Ministrat u dakordësuan për angazhim konkret, me ekipe të dedikuara, për adresimin e çështjeve të pazgjidhura dhe ndërtimin e zgjidhjeve të qëndrueshme në interes të qytetarëve të të dy vendeve, duke hapur kështu një kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe.
Po ashtu, u theksua rëndësia e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në energji, infrastrukturë dhe turizëm. Hoxha vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë për integrimin evropian të Shqipërisë dhe avancimin e procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.









