Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme pranë stadiumit “Elbasan Arena”, ku një person është gjetur pothuajse i djegur në banesën e tij brenda një pallati.
Sipas informacioneve paraprake, ndërhyrja e shërbimeve zjarrfikëse është bërë pasi banorët e pallatit kanë sinjalizuar praninë e erës së djegies dhe tymit. Zjarrfikësit kanë hapur me forcë qepenin e ambientit, ku kanë gjetur një burrë në gjendje të rëndë shëndetësore, pothuajse të djegur dhe në koma.
Ndërkohë, për rreth një orë, energjia elektrike është ndërprerë në një pjesë të bllokut të banimit në lagjen “5 Maj”, si masë sigurie.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se personi mund të ketë rënë aksidentalisht në kontakt me rrymën elektrike, por autoritetet nuk përjashtojnë as pistën e një tentative vetëvrasjeje. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.









