Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka denoncuar këtë të martë mungesën e investimeve në projektin “Durana Tech Park” në Durrës.
Sipas tij, kjo është një situatë mashtruese, pasi ashtu siç ishte premtuar nga qeveria, ky park teknologjik nuk ekziston në terren, por vetëm në prezantimet digjitale.
Blushi ka akuzuar autoritetet për përfitime të paligjshme dhe ka kërkuar hetim nga SPAK për abuzimet financiare dhe lidhjet e mundshme me këtë projekt.
Denoncimi i Tedi Blushit:
Ndodhem në Xhafzotaj të Durrësit, përballë një skene krimi.
Këtu, sipas projektit 3D të qeverisë, ndodhet “Durana Tech Park”, një qendër, sipas Edi Ramës, e Inovacionit dhe ekselencës, ku operojnë një numër i madh biznesesh në fushën e teknologjisë dhe të Start-up-eve, por në fakt, siç e shihni është thjesht dhe vetëm një livadh.
Në Prill të vitit të kaluar, Edi Rama ju prezantoi shqiptarëve këtë projekt madhështor të “Duranës”, madje njoftoi se këtu sapo ishin futur dhe rezidentët e parë, duke ndarë madje edhe çertefikatat .
Kjo është harta e “Duranës” në variantin 3D.
Këto janë qendrat moderne të ndërtuara në këtë territor, por në fakt, siç shihet qartë është thjesht dhe vetëm një livadh.
“Durana” duhet të ishte park, siç e thotë ligji 58 i vitit 2021, i cili përcakton në mënyrë të qartë se çfarë është një park teknologjik dhe me vendim të Këshillit të Ministrave, kjo zonë gëzon një status të veçantë, është një parajsë fiskale për zhvillimin ekonomik dhe ku operojnë, të paktën, 46 kompani në fushën e teknologjisë, por numuri i tyre, në fakt, llogaritet të jetë mbi 100.
E ngjashme me skemën kriminale të inceneratorëve, nuk ka një tullë të vendosur e jo më të flitet për një park Teknologjik.
Parku ekziston vetëm në këtë projekt 3D të Edi Ramës.
Çfarë ndodh në të vërtetë në këtë skemë kriminale, në qendër të skemës ndodhet Korporata Shqiptare e Investimeve, e drejtuar nga Elira Kokona.
Skema mbështetet mbi Shoqatën e Kompanive të Teknologjisë së Informacionit.
Një strukturë private që rekruton kompani në katër nivele anëtarësimi, Individual, Silver, Gold dhe Platinium.
“Durana Tech Park” rezulton e regjistruar në 20 Shkurt të vitit të kaluar, në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe është themeluar gati një muaj e gjysmë pasi Ermal Beqiri, i shpallur sot në kërkim nga SPAK për aferën e AKSH-IT, aferën ku është përfshirë direkt familja e Kryeministrit Edi Rama dhe thuajse të gjitha kompanitë kanë transferuar fiktivisht adresën, këtu në Xhafzotaj, në këtë livadh, për të përfituar përjashtim total nga taksat, duke e kthyer ligjin e Techno Parkut në një armë të tmerrshme, vrastare të abuzimit financiar, koston e të cilëve e vuajnë qytetarët shqiptarë.
Më konkretisht unë po ju lexoj se çfarë përfitojnë të gjitha këto kompani, që në fakt janë kompani fiktive, por që përfitojnë një numër të madh benefitesh nga shteti shqiptar.
Kompanitë përfitojnë 0% tatim mbi fitimin për një periudhë 15 – vjeçare për të gjitha të ardhurat që gjenerojnë nga veprimtari, të cilat presupozohet se zhvillohen në këtë park, në këtë livadh.
Përjashtim nga TVSH-ja për mallrat dhe shërbimet e përdorura për qëllime kërkimi dhe zhvillimi.
Lehtësime në sigurimet shoqërore, ku kontributet mund të paguhen mbi bazën e pagës minimale për një periudhë të caktuar.
Përjashtim nga të gjitha taksat për një periudhë 10-vjeçare për pagat e personelit që punon në kërkim-zhvillim në këtë park inekzistent.
Përjashtim nga taksat e ndikimit në infrastrukturë dhe taksa e pasurisë së paluajtshme për një periudhë 10-vjeçare për ndërtimet e supozuara të ndërtuara në këtë park, me vendim të Këshillit të Ministrave.
Pra është mëse e qartë se çfarë krimi monstruoz, se çfarë afere monstruoze po realizohet në të ashtuquajturin Park “Durana”, një parajsë fiskale e ideuar nga Edi Rama, përfituesit e së cilës janë pikërisht ata, të cilët Edi Rama i përdor si mashë apo si levë.
Ermal Beqiri, Ergys Agasi e dhjetra kompani të tjera fiktive, selitë e të cilave mund të jenë në “Bllok” ose nuk ekzistojnë fare, sigurisht në letra po e po, por që për shkak se janë regjistruar sikur janë rezidentë, sikur kanë zyrat në këtë livadh, që është livadhi i korrupsionit të Edi Ramës, përfitojnë falje taksash, TVSH të ulët, kur ndërkohë është e njëjta qeveri, e cila refuzon të ulë TVSH-në për ushqimet e shportës, për pensionistët dhe për të gjithë ata shqiptarë, të cilët sot paguajnë bukën, miellin, vajin, orizin më shtrenjtë se në vendet e Bashkimit Europian.
Për pensionistët, për shqiptarët e thjeshtë që mezi përballojnë rritjen e çmimeve, qeveria nuk parashikon ulje TVSH-je.
Ndërsa për këto biznese që nuk ekzistojnë dhe për këtë park që nuk ekziston, por që në fakt po e zhvatin çdo ditë buxhetin e shtetit, jepet TVSH 0 dhe përjashtim nga taksat nga 10 deri 15 vite.
Ja pra, një tjetër kryevepër korrupsioni e Edi Ramës, e ngjashme me inceneratorin e Tiranës që nuk ekziston.
E ftoj SPAK-un të vizitojë livadhin dhe të na tregojë godinën e “Durana Tech Park”, për të cilën Edi Rama shpërndau edhe çertefikatat e para dhe njoftoi se të paktën 40 rezidentë ndodheshin në këtë godinë.
Siç e theksova, erdhëm ti takonim, por e vetmja që na priti ishte ajo lopë në fund të mullarit.
Një lopë pa zot.
Përshëndetje nga Xhafzotaj!









