Kryeministri Edi Rama ka shprehur kritika të ashpra për vonesat në zbardhjen e ngjarjes së 21 Janarit, ku katër protestues u vranë përpara Kryeministrisë, duke akuzuar strukturat e reja të drejtësisë për dështimin në zbardhjen e fajeve pas 15 vitesh.
Ai tha se kjo ngjarje ka qenë një nga faktorët që shtynë Reformën në Drejtësi, por ka kritikuar institucionet si SPAK, të cilat nuk kanë ngritur asnjë akuzë të vërtetë për krimet e asaj dite.
Sot burgjet mbajnë më shumë të paraburgosur, njerëz të plasur në qeli pa gjyq, se të dënuar me vendim gjykatë. Një pjesë e madhe e tyre janë viktimë e karshillëkut të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Panoramë e trishtë e një drejtësie të dhunuar kur ana tjetër e medaljes është drejtësia e vonuar për 21 janarin. Përgjegjësit kryesorë të tragjedisë mezi u thirrën të pyeten pas 15 vitesh. Edhe në këtë orvatjen për të gjetur ngushëllim te historia, nuk e kam menduar që reforma në drejtësi për të cilën 21 janari ka qenë një nevojë prioritare, ka qenë një nga burimet kryesore të energjisë për ta çuar përpara, dhe strukturat e pavarura të ndërtuara nuk do të ngrinin asnjë akuzë të vërtetë për 21 janarin as pas 15 vitesh nga vrasjet mizore. Fatkeqësisht edhe vetë SPAK bëri sikur kjo çështje nuk ekziston.”









