Gjatë seancës plenare të Kuvendit, deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, ngriti shqetësimin për vonesat dhe procedurat e pasakta në miratimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.
Ai theksoi se, edhe pse opozita është pro anëtarësimit, kërkon që procesi të përshpejtohet dhe të zhvillohet me më shumë transparencë dhe efikasitet.
“Sot po flasim për një çështje shumë të rëndësishme për Shqipërinë, që ka të bëjë me anëtarësimin e saj në Bordin e Paqes. Ne jemi të gatshëm ta mbështesim këtë, por kërkojmë që procedura të jetë më efikase. Ju kërkoni 35 ditë për këtë proces, ndërsa ne mund ta realizojmë në vetëm 7 ditë. Njoftimi për këtë çështje ka ardhur me vonesë dhe në mënyrë të papritur, duke e bërë këtë proces të paefektshëm dhe jo të rregullt. Ju keni shkelur rregulloren dhe Kushtetutën me mënyrën si po zhvilloni këtë procedurë. Pse nuk hyni me ndjesë për shkeljen e rregullave dhe të procedurave, kur e dini që ky proces duhet të ishte më i shpejtë dhe më i saktë? Ne kërkojmë që kjo marrëveshje të miratohet menjëherë, pa vonesa të mëtejshme. Ju duhet të ishit në Gjykatën Kushtetuese dhe jo këtu për të diskutuar për Belinda Ballukun. Kjo është një çështje shumë më e rëndësishme për Shqipërinë dhe për të ardhmen e saj,” shprehet Bardhi.









