Janë identifikuar dy shqiptarët që ndodheshin në makinën e përfshirë në aksidentin tragjik në Rumani, ku humbën jetën 7 persona.
Genci Sadiku dhe Vasil Palo janë shqiptarët që ndodheshin në furgonin me tifozë të ekipit grek PAOK, të cilët udhëtonin drejt Francës për të ndjekur ndeshjen e Europa League ndaj Lionit.
Pas përplasjes që ndodhi në autostradën pranë qytetit Lugoj, 3 persona mbetën të plagosur, ndërsa ende nuk dihet gjendja shëndetësore e të dy shqiptarëve të aksidentuar.
Aksidenti ndodhi kur furgoni tentoi të parakalonte një kamion, por gjatë rikthimit në korsi u përplas fillimisht me të dhe më pas kaloi në krahun e kundërt të rrugës, ku u përplas me një tjetër kamion, duke shkaktuar një aksident me katër mjete të përfshira.
Gjashtë nga viktimat humbën jetën në vend, ndërsa një tjetër ndërroi jetë gjatë transportit në spital.









