Pas marrjes së detyrës si Kryeinspektor i Përgjithshëm, Dashnor Sula ka bërë prezantimin e tij të parë publik, duke theksuar angazhimin e tij të plotë dhe gatishmërinë për të kryer detyrat që rrjedhin nga ky post i rëndësishëm.
Në një ceremoni ku ishte i pranishëm edhe ministrja Delina Ibrahimaj, Sula ka garantuar përkushtim maksimal dhe bashkëpunim të ngushtë me stafin dhe institucionet shtetërore për të siguruar që puna e tij të realizohet me korrektësi dhe transparencë.
“Çdo person që kryen një funksion ka një detyrë për të përmbushur në bazë të ligjit dhe do të jetë në raport të drejtpërdrejtë me mua,” tha Sula, duke u shprehur i vendosur për të siguruar bashkëpunim dhe korrigjime të mundshme në çdo nivel. Ai e përshkroi këtë detyrë si një sfidë të madhe, që kërkon angazhim të plotë dhe një përgjegjësi të madhe, duke shtuar se “ky detyrim nuk është privilegj, por një mundësi për të kontribuar në përmirësimin e sistemit.”
Sula u angazhua gjithashtu që do të jetë i gatshëm 24 orë për çdo informacion dhe problem që mund të lidhet me detyrën e tij. “Pavarësisht përballjeve politike të së kaluarës, gjithmonë kemi pasur si fokus interesin e vendit dhe kjo do të jetë edhe një herë motoja ime,” përfundoi ai.
Related