Policia e Vlorës ka ndërhyrë me sukses për të parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale, duke kryer kontrolle të imtësishme në fshatin Babicë e Madhe.
Gjatë aksionit, shërbimet e Policisë kanë zbuluar dy automjete të dyshuara të vjedhura dhe tre bidona me lëndë djegëse, të cilat dyshohet se do të përdoren për një krim të rëndë.
Automjetet e gjetura, një “Nissan” dhe një “Audi Q5” me targa të huaja, ishin fshehur në një ullishte. Policia dyshon se këto mjete do të përdoren për kryerjen e një ngjarjeje kriminale, ndërsa grupi hetimor ka nisur procedurat për të zbardhur plotësisht rrethanat e këtij aksioni dhe për të identifikuar personat përgjegjës.
Të gjitha provat materiale, përfshirë automjetet dhe lëndët djegëse, janë sekuestruar dhe po i nënshtrohen ekzaminimeve shkencore.
Hetimet vijojnë, nën drejtimin e Prokurorisë, për të zbuluar detaje të tjera dhe për të kapur autorët e mundshëm të veprës.
/5pyetjet.al









