Një incident është regjistruar paraditen e së hënës në zonën e njohur si “Malajziani” në Tiranë, ku një efektiv policie është përfshirë në një konflikt fizik me një punonjës biznesi.
Sipas informacioneve paraprake, përplasja ka nisur pasi stafi i një lokali i ka kërkuar policit të zhvendoste automjetin e parkuar pranë ambientit, duke argumentuar se po pengonte hapësirën e shërbimit.
Situata është tensionuar brenda pak minutash dhe debati verbal ka degraduar në konfrontim të drejtpërdrejtë. Në një moment, efektivi dyshohet se ka nxjerrë armën e shërbimit gjatë konfliktit, ndërsa në vendngjarje ndodheshin edhe persona të tjerë.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur verifikimet për rastin, ndërkohë që efektivi, i cili raportohet se shërben në Policinë e Tropojës, po hetohet në gjendje të lirë.
Paralelisht, edhe Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka hapur procedurë disiplinore për këtë ngjarje.









