Bashkia e Lezhës ka hapur një procedurë prokurimi me fond limit 848 milionë lekë, ose rreth 8.4 milionë euro, për sistemimin dhe asfaltimin e rrugëve rurale në njësitë administrative të territorit të saj.
Ndërhyrjet do të realizohen përmes dy loteve. Loti i parë, me vlerë 357 milionë lekë (3.6 milionë euro), përfshin Zejmenin, Shëngjinin dhe Kolshin.
Loti i dytë, me fond limit 491 milionë lekë (4.9 milionë euro), parashikon investime në Kallmet, Blinisht, Dajç dhe Ungrej.
Sipas dokumentacionit zyrtar, investimi synon përmirësimin e aksesit rrugor në zona me potencial të identifikuar ekonomik, me fokus në zhvillimin e turizmit, bujqësisë, vreshtarisë dhe agroturizmit.
Bashkia vlerëson se përmirësimi i infrastrukturës do të krijojë kushte për rritjen e aktivitetit ekonomik, lehtësimin e qarkullimit të produkteve bujqësore dhe nxitjen e investimeve private.
Por cilat janë në fakt këto fusha? Në dokumente është bërë edhe një përshkrim i potencialit që paraqet secila njësi sa i takon zhvillimit të ekonomisë lokale:
Shëngjin – potencial në turizëm dhe shërbime
Shënkoll – potencial në bujqësi dhe blegtori
Zejmen – potencial në bujqësi, pemëtari dhe vreshtari
Kolsh – potencial në blegtori dhe agroturizëm
Ungrej – potencial në turizëm natyror dhe zhvillim rural
Balldre – potencial në bujqësi intensive
Kallmet – potencial në vreshtari dhe agroturizëm
Dajç – potencial në prodhim bujqësor dhe menaxhim ujor
Blinisht – potencial në turizëm natyror dhe aktivitete rurale./ Monitor









