Deputeti Belind Këlliçi ka reaguar nga Shtetet e Bashkuara pas akuzave nga Policia e Shtetit për nxitje dhune gjatë protestës të opozitës më 10 shkurt. Këlliçi, i cili ishte në SHBA në momentin e ngjarjes, theksoi se nuk ka qenë i pranishëm në protestë dhe e ka mësuar lajmin gjatë një takimi me prokurorin shqiptaro-amerikan, Robert Lulgjuraj, në Miçigan.
Në postimin e tij, Këlliçi e akuzoi kryepolicin Ilir Proda si pjesë të “krimit të organizuar” dhe e cilësoi procedimin ndaj tij si një veprim politik të motivuar. Ai shtoi se ky akt tregon se qëllimi është të targetohet opozita dhe të krijohet një presion politik.
Reagimi i Këlliçit:
Ndërkohë që takoja mikun tim Robert Lulgjuraj në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” në Miçigan, prokurorin shqiptaro-amerikan që garon për në Kongresin e SHBA nën rradhët e Partisë Republikane, mësoj se Policia e Shtetit në Tiranë, e drejtuar nga ushtari i krimit të organizuar Ilir Proda, më paska proçeduar dhe marë nën hetim për organizimin e protestës dhe udhëheqjen e përplasjes me efektivët e rendit!!!
Kjo dëshmon targetin politik që e ka gati narkodrejtuesi dhe shërbëtori i bandave, Proda, i cili pavarësisht se ndodhem jashtë vendit dhe një oqean larg, më bën letrat për prokurori.
I them Prodës dhe shefit të tij, kreut të narkoshtetit Edi Rama, ta ruajë dosjen për protestën e 20 shkurtit, pasi do jem aty, në vijën e parë, bashkë me demokratët dhe qytetarët që nuk pranojnë korrupsionin e krimin si normë, si rregull, si rend.
Krenar për secilin demokrat e qytetar që dje u përball me dhunën e paprecedentë policore dhe i bëj thirrje çdo shqiptari, që më datë 20 shkurt, të dalë në shesh, jo për partitë politike, por për atdheun, për flamurin tonë kombëtar🇦🇱
PS: Përtej banalitetit që prodhon shteti i drejtuar nga Edi Rama, gjej rastin të ftoj çdo shqiptar në shtetin e Miçiganit dhe kudo tjetër, të mbështesë me çdo mundësi Robert Lulgjurajn, në këtë shans historik, që një shqiptar të ulet në Kongresin Amerikan.









