Mijëra qytetarë kanë vijuar protestën e tyre në Tiranë, në ditën e 17-të të tubimit kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke marshuar në rrugët kryesore të kryeqytetit pas disa orësh qëndrimi para Kryeministrisë.
Fillimisht, protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, për t’u zhvendosur më pas drejt godinës së Kryeministrisë, ku për disa orë u mbajtën fjalime nga studentë, mjekë, profesorë, artistë dhe qytetarë të ndryshëm.
Gjatë protestës, pjesëmarrësit kanë përsëritur thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit, duke vijuar me slogane kundër qeverisë.
Pas përfundimit të fjalimeve, turma është nisur në marshim nëpër disa prej akseve kryesore të Tiranës, ndërsa në krye të saj janë studentët. Protestuesit kanë paralajmëruar vijimin e tubimeve edhe në ditët në vijim, me pjesëmarrje më të gjerë.









