REAGIMI:
Reagimi i Bashkimit Europian për ligjin e fundit të miratuar nga mazhoranca socialiste është një konfirmim i qartë i asaj që kemi thënë prej kohësh: Shqipëria nuk vuan nga mungesa e mundësive për integrim, por nga mungesa e vullnetit politik për ta çuar përpara atë.
Fatkeqësisht, kjo qeveri nuk punon për integrimin. Nuk e ka pasur kurrë si prioritet real. Sepse përtej fasadës së deklaratave dhe konferencave, fshihen vendime konkrete që e minojnë procesin çdo ditë. Ligje si ai për portet turistike nuk janë thjesht veprime nxitim e sipër por janë goditje direkte ndaj konkurrencës së lirë dhe shkelje e hapur e standardeve europiane, duke cenuar kapituj kyç të negociatave, përfshirë edhe Kapitujt 5 dhe 27!
Për këtë arsye, u jam drejtuar Komisionerëve në Bashkimin Europian me një letër informuese të detajuar mbi këtë rast. Kam ngritur shqetësimin për procedurat e ndjekura dhe për mënyrën tinzare se si kjo qeveri vepron: në darkë miraton ligje që bien ndesh me parimet e BE-së, ndërsa në mëngjes flet për integrimin si një objektiv të saj.
Koha është të ndajmë qartë qëndrimet. Të kuptojmë kush qëndron në anën e integrimit të vërtetë dhe kush në anën e propagandës. Sepse sot nuk kemi përballë një qeveri që negocion për Shqipërinë, por një qeveri që negocion me ligjin për interesa të ngushta.









