Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi drejtuesit e policisë që kanë sulmuar zyrtarët më të lartë të PD gjatë protestës.
Sali Berisha: Qëndruat të pamposhtuar ndaj një terrori të një regjimi që u soll sonte si një pushtues barbar. Zëri juaj qëndresa juaj u shndërrua në tmerr të vërtetë për narko regjimin e Edi Ramës. Sot me urdhër të Edi Ramës, Skënder Balluku, Sokol tradhtari Bizhga dhe Enton Allushi, Dashamir, shefi i policisë operative kanë treguar fytyrat e vërteta prej kriminelësh profesionistë, nuk kanë asgjë të përbashkët me punonjësit e policisë por janë kriminelë të certifikuar të cilët mendojnë se do të zbrampsin një popull të tërë në mbrojtje të dyshesh Rama-Balluku.
Deklarova para pak, po e deklaroj prapë, dosja Rama-Balluku nuk mbyllet gjerë ditën e fundit të jetës së tyre, ata janë të regjistruar në analet e këtij populli hajdutët më të mëdhenj të historisë së shqiptarëve dhe nuk ka forcë në botë që t’i mbrojë ata nga ndëshkimi mbarë popullor. Sot në emër të Lubisë dhe Ramës, Skënder Balluku, që mori drejtimin e narko- policisë shënjestroi dhe goditi drejtuesit kryesorë të PD-së, Boci është në spital me djegie, Noka përsëri pësoi goditje por vazhdon detyrën, Balliu në spital.
Në spital janë drejtues të tjerë, gazetari Aulon Kalaja, i goditur personalisht. Një hakmarrje për qëndrimet e tij ndaj regjimit. Drejtues dhe veprimtarë të tjerë të PD-së janë të plagosur. Sokol Balluku ka përdorur bombat kundër protestuesve, granatat e zhurmës që kanë plagosur disa prej tyre. Kanë hedhur shishe molotov dhe kanë plagosur edhe protestues edhe policë se u duheshin si dëshmitarë të akteve të protestuesve. Ju siguroj se forcë në botë që të na mposhtë nuk ka.
Berisha: Protestat nuk kanë lidhje me proceset zgjedhore brenda PD-së
Kur do të jetë protesta tjetër?
Nuk tërhiqemi, data tjetër shumë shpejt. Të gjitha format e protestave do të përdoren këto janë protestat, kryengritje paqësore që ka si mision përmbysjen e narkoregjimit të Edi Ramës. Ky mision është misioni i PD-së. E shtata apo e teta me radhë kjo kryengritje nuk ka të ndalur. Ka një mbështetje sa shqiptare edhe botërore.
Protesta e radhës para apo pas 23 majit?
Nuk kanë asnjë lidhje këto me proceset e brendshme të partisë, por me regjimin. Ju jeni dëshmitarë që disa muaj më parë PD do të hidhet në një veprimtari shumëplanëshe, ne vërtetë jemi në procese të brendshme analiza dhe zgjedhje në të gjitha degët por kjo nuk mund të na pengojë ne të mbajmë kryengritjen paqësore. E tmerruat sot regjimin, i patë se cfarë fytyrash kishin. Protesta tjetër më e fuqishme do të jetë. Më tmerr për regjimin do të jetë.









