Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka reaguar ndaj shqetësimeve të fundit lidhur me rikonstruksionin në Spitalin Universitar të Traumës, duke theksuar se shërbimet mjekësore për qytetarët nuk janë ndërprerë.
Në një njoftim për mediat, ministria ka bërë të ditur se punimet për përmirësimin e godinës po kryhen me faza, për të siguruar vazhdimësinë e shërbimit.
Blloku i urgjencës funksionon normalisht, ndërsa në Kirurgjinë Ortopedike operacionet po kryhen si zakonisht, duke mbajtur dy turne pune gjatë gjithë javës, përfshirë fundjavat.
Ministria ka garantuar gjithashtu se sallat operative janë nën monitorim të rreptë për të siguruar standardet higjienike dhe nuk ka rrezik për infeksione bakteriale. Po ashtu, nuk ka mungesa të medikamenteve dhe materialeve mjekësore, të cilat janë të disponueshme për trajtimin e pacientëve.









