Kryeministri Edi Rama ka reaguar së fundmi mbi Paketa e Maleve, duke e sqaruar qëllimin dhe objektivat e saj, ndërsa theksoi se ajo nuk është një mundësi për investitorët e mëdhenj, por për qytetarët e thjeshtë që duan të zhvillojnë projektet e tyre në tokat e tyre.
Gjatë një takimi, Rama shpjegoi se kjo paketë ka lindur si një zgjidhje për trajtimin e problemeve të trashëguara nga ligji 7501, duke i dhënë mundësi njerëzve të thjeshtë, si ata që janë në emigracion dhe që duan të zhvillojnë tokat e vjetra të familjeve të tyre.
“Paketa e Maleve nuk është një paketë për kompanitë e mëdha, për investitorët e mëdhenj, as për të dhënë territore publike për zhvillime private. Objektivi është që të ndihmojmë ata që kanë tokën e tyre dhe duan ta zhvillojnë, siç janë shumë shqiptarë që janë në emigracion dhe kanë toka, por nuk mund të ndërtojnë ligjërisht. Me këtë paketë, ata mund të aplikojnë për leje dhe, pas miratimit të projektit, të ndërtojnë dhe të regjistrojnë pronën e tyre,” – shpjegoi Rama.









