Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se Pentagoni ka përgatitur plane për çdo skenar të mundshëm në lidhje me konfliktin me Iranin, duke përfshirë edhe përshkallëzimin apo tërheqjen e forcave amerikane.
Gjatë një seance dëgjimore në Kongres, Hegseth u pyet për të ardhmen e operacioneve ushtarake amerikane dhe mundësinë e tërheqjes së trupave, në rast se Kongresi nuk miraton vazhdimin e misionit.
“Kemi plan për gjithçka. Kemi plan për forcim të pranisë ushtarake nëse është e nevojshme, kemi plan për tërheqje nëse duhet, si dhe për riorganizim të forcave”, tha ai.
Megjithatë, shefi i Pentagonit refuzoi të japë detaje për hapat e ardhshëm, duke theksuar se situata është shumë serioze dhe lidhet me misionin e presidentit Donald Trump për të penguar Iranin që të sigurojë armë bërthamore.
Hegseth foli edhe për buxhetin e ri ushtarak amerikan prej 1.5 trilionë dollarësh, duke thënë se ai pasqyron “urgjencën e momentit” dhe synon të përgatisë ushtrinë amerikane për sfidat aktuale dhe të ardhshme.









