Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha nga Kuvendi se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian ka kaluar nga faza e aspiratës në fazën e veprimit, duke theksuar progresin e vendit dhe rëndësinë e koordinimit institucional dhe konsensusit kombëtar.
“Jemi para një përgjegjësie institucionale sot. Anëtarësimi në BE është objektivi ynë madhor, kombëtar i reformave dhe i transformimit të shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Nuk është vetëm aspiratë e përgjithshme apo slogan i bukur për t’u përsëritur në raste solemne, por është përgjegjësi institucionale çdo ditë. Sot Shqipëria ndodhet në një fazë të re, dinamike. Kemi kaluar nga faza e aspiratës në fazën e veprimit, falë punës së koordinuar të institucioneve dhe ekipeve që kanë kontribuar në këtë proces. Në pak muaj kemi hapur gjashtë kapituj negociatash, një rekord në historinë e zgjerimit të Bashkimit Europian. Kjo tregon se Shqipëria nuk ecën vetëm me dëshirë, por me veprime konkrete. Ky progres është rezultat i bashkëpunimit të qeverisë, Kuvendit dhe shoqërisë civile. Ne si Kuvend kemi rolin më të rëndësishëm në këtë proces dhe duhet të ndërtojmë konsensus kombëtar për të garantuar suksesin e integrimit,” tha Balla.









