Lufta që SHBA-të dhe Izraeli po zhvillojnë kundër Iranit vazhdon të largojë vëmendjen nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Kievi ka frikë se do të marrë më pak armë amerikane dhe po përgatitet për vitet e tjera. Ndërkohë, Moska po përfiton nga rritja e çmimeve globale të naftës dhe gazit. Kjo është njëra anë e realitetit në pranverën e vitit 2026.
Tjetra është një bllokim virtual në front. Edhe pse asnjëra palë aktualisht nuk është në gjendje të bëjë përfitime të konsiderueshme territoriale, Ukrainapo sulmon gjithnjë e më shumë infrastrukturën e naftës thellë brenda Rusisë – për shembull në Tuapse në Detin e Zi. Kremlini është gjithnjë e më i detyruar të mbyllë përkohësisht internetin në të gjithë Rusinë, ndërsa popullariteti i Presidentit Vladimir Putin vazhdon të bjerë.
Çfarë do të thotë e gjithë kjo? Ku po shkon lufta në vitin e pestë që nga fillimi i sulmit të madh? Ekspertë perëndimorë dhe zyrtarët ushtarakë besojnë se fundi i luftës po afrohet de facto. Ata ia atribuojnë këtë zgjedhjeve të këtij viti në SHBA, ndër të tjera.
A do të urdhërojë Putini një mobilizim të ri?
Duke pasur parasysh situatën në vijat e frontit në Ukrainë, ekspertët ndërkombëtarë kanë spekuluar për javë të tëra se Putinimund të shpallë një mobilizim të ri – siç bëri në vjeshtën e vitit 2022. As zyrtarët ushtarakë ukrainas – të emëruar së fundmi nga Presidenti Volodymyr Zelensky – nuk e përjashtojnë mundësinë.
Megjithatë, Evelyn Farkas e Institutit McCain në Universitetin Shtetëror të Arizonës nuk beson se Rusia do të bëjë një mobilizim të plotë. Farkas, e cila mbajti një pozicion të lartë në Pentagon nën Barack Obamën, tregon problemet brenda ekonomisë ruse që, sipas mendimit të saj, do ta dekurajojnë udhëheqësin e Kremlinit nga një hap i tillë.
A do të bëhet Ukraina më e pavarur nga armët perëndimore? Pavarësisht situatës në Gjirin Persik, Kurt Volker – ish-përfaqësuesi special i Departamentit të Shtetit të SHBA-së për Ukrainën nën administratën e parë të Donald Trump – beson se Ukraina është në një pozicion më të fortë sot sesa ishte më parë.
Sipas mendimit të tij, Kievi tani është dukshëm më pak i varur nga armët perëndimore, duke përmbushur “60 deri në 70 përqind” të nevojave të saj brenda vendit. Sipas tij, Ukraina mund të vazhdojë të luftojë edhe nëse Shtetet e Bashkuara ndërpresin furnizimet me armë përmes kanaleve evropiane. Vetëm një vit më parë, gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara, Volodymyr Zelensky kishte frikë se Ukraina mund ta humbiste luftën nëse mbështetja amerikane do të ndërpritej.
Volker nuk mendon se Ukraina mund të humbasë luftën nëse ndërpritet furnizimi nga Amerika, por ai vëren se as Uashingtoni nuk mund t’i garantojë Kievit furnizimet e vazhdueshme me raketa Patriot, në sasi si deri tani.
Farkas: Zelensky do t’i rezistojë presionit të Trump
Presidenti ukrainas tha së fundmi se pret të përballet me presion në rritje nga administrata Trump deri në vjeshtë. Sipas tij, Trumpi dëshiron që Ukraina të pranojë kushtet e Rusisë për një armëpushim – më konkretisht, të pranojë tërheqjen e trupave ukrainase nga pjesa e Donbasit e kontrolluar nga Kievi. Evelyn Farkas, megjithatë, beson se Ukraina do të jetë në gjendje t’i rezistojë këtij presioni me sukses.
Drejtori i Institutit McCain pret që kriza e Iranit të zgjidhet deri në verë – dhe Ngushtica e Hormuzit të rihapet. Më pas SHBA-ja mund të kërkojë “ndryshim regjimi” në Kubë, siç njoftoi më parë Trumpi. Por edhe në këtë skenar, ajo nuk pret që presioni mbi Kievin të rritet. Në vend të kësaj presioni mbi Kubën mund ta dobësojë më tej Rusinë – aleatin historik të Havanës.
Negociata serioze vetëm pas zgjedhjeve në SHBA
Si Farkas ashtu edhe Volker besojnë se zgjedhjet për Kongresin amerikan në nëntor mund të shënojë një pikë kthese. Pas tyre, pozicioni i Trump dhe Partisë së tij Republikane mund të dobësohet.
“Kjo do të jetë e mjaftueshme për të ushtruar presion mbi administratën amerikane që të vazhdojë të mbështesë Ukrainën dhe NATO-n”, beson Farkas.
Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Giuseppe Cavo Dragone, vlerëson se lufta është “e vështirë” të përfundojë në fushën e betejës dhe se ushtria ruse mbetet “e fortë”, pavarësisht humbjeve në rritje. Megjithatë situata ekonomike mund të jetë një nga faktorët që mund ta inkurajojë Moskën të bjerë dakord për një marrëveshje paqeje./ DW









