Arsen Toska, efektiv i policisë, mbeti i plagosur me armën e shërbimit gjatë shoqërimit të një të arrestuari nga Fieri drejt Komisariatit të Policisë Kuçovë. Aktualisht, ai ndodhet në Spitalin e Traumës, ku po merr trajtim për dëmtime serioze dhe për humbje të lëvizshmërisë së gjymtyrëve të poshtme.
Autori i dyshuar, 45-vjeçari Zamir Skënderi, ka pohuar para hetuesve se nuk kujton ngjarjen, pasi ishte nën ndikimin e lëndëve narkotike. Ngjarja ndodhi në fshatin Kutalli të Dimalit, mbrëmjen e së hënës, gjatë transportit të të arrestuarit.
Sipas burimeve, gjatë udhëtimit Skënderi dyshohet se i mori armën Toskës dhe e qëlloi brenda automjetit të policisë. Ai u kap menjëherë nga efektivët e tjerë të pranishëm, ndërsa tentonte të largohej nga vendngjarja.
Hetimet po vijojnë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po verifikon nëse janë ndjekur procedurat e standardizuara gjatë shoqërimit. Një tjetër pikë që po hetohet është mungesa e kontrollit të imtësishëm të Skënderit nga Policia e Fierit, ndërkohë që dyshohet se mbante një sasi të konsiderueshme kokainë.









