Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 44-vjeçarin Rezart Abazaj, i cili rrezikoi jetën e efektivëve të policisë duke përplasur mjetin e tyre me makinën e tij gjatë një tentative për t’i shpëtuar arrestimit.
Abazaj lëvizte me shpejtësi në lagjen 17 në Durrës.
Si ndodhi ngjarja?
Patrulla ishte njoftuar nga banorë të zonës për një drejtues që lëvizte me shpejtësi dhe në mënyrë të pakontrolluar në lagjen 17, në zonën e ish-Kënetës. Gjatë ndjekjes, në përpjekje për t’i shpëtuar policisë, ai ka lëvizur mbrapsht dhe ka përplasur mjetin e efektivëve.
Ngjarja ndodhi vetëm një rrugicë larg vendit ku pak ditë më parë humbën jetën dy fëmijë dhe u plagos një tjetër.
Pas arrestimit në flagrancë, testi i alkoolit tregoi se Rezart Abazaj drejtonte mjetin me 1.4 mg/l alkool, ndërsa rezulton përsëritës për të njëjtën vepër penale. Edhe më 5 mars ai ishte arrestuar në gjendje të dehur pas një incidenti rrugor, por ishte lënë në masën “detyrim paraqitjeje” me vendim gjykate duke e rikthyer sërish në rrugë e vënė në rrezik për jetën banorët dhe punonjësit e policisë.









