Kreu i LDK dhe kandidati për Kryeminstër, Lumir Abdixhiku me anë të një postimi në faqen e tij facebook ka reaguar pas mbledhjes së sotme të qeverisë në detyrë të Kosovës e cila ka vendosur të ndaj një fond parash për disa kategori të caktuara në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare të 7 qershorit.
Postimi i Abdixhiku
Blerje votash, propagandë. fyerje, ofendime, kriza të njëpasnjëshme. Çdo mjet i mundshëm për të qëndruar me çdo çmim në pushtet.
Asnjë ide. Asnjë projekt. Asnjë punë.
Kjo nuk është pako e inflacionit. Kjo është pako e tentimit për blerje vote. Një përpjekje e vonshme për të mbuluar dështimin qeverisës me paranë e vet qytetarëve. Një ofendim zgjedhor për dinjitetin dhe nevojat reale të njerëzve të vendit, të atyre që i lë si të parafundit në Evropë. Të parafundit!
Populli i Kosovës nuk blihet.
E ardhmja e tyre nuk është në shitje.
Kosovës i duhet një kapitull i ri. Një kapitull ku politikanët nuk kujtohen për qytetarët vetëm në prag zgjedhjesh. Ku mirëqenia nuk shpërndahet si favor elektoral, por ndërtohet si politikë e përhershme shtetërore. Ku pagat e dinjitetshme, mbështetja për familjet, zhvillimi ekonomik, investimet e mëdha e kujdesi për qytetarin nuk janë mjete për votë, por detyrim i Republikës. I një Republike që zhvillohet e s’pranoj të jetë në fund të Evropës.