Situata politike në Maqedoninë e Veriut është e tensionuar për shkak të protestave të fundit të studentëve dhe refuzimit të qeverisë për të zbatuar të drejtën e tyre për të dhënë provimin në gjuhën shqipe.
Ndërkohë që të dielën Partia Demokratike Shqiptare, e udhëhequr nga Menduh Thaçi do të zhvillojë Kongresin e IX në Shtëpinë e Kulturës në Tetovë. Vitet kanë kaluar dhe forca sigurisht e kësaj partie që dikur ishte shumë herë më e madhe dhe me më shumë ndikim në jetën politike. Menduh Thaçi u zgjodh për herë të parë në Maj 2007 në Strugë kur u mbajt kongresi i IV i PDSH.

Në këtë kongres përshëndeti në gjuhën shqipe asokohe edhe kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski, tashmë në azil në Hungari pas dënimit. Ishte hera parë që një kryeministër maqedonas bën tentativa për të folur në gjuhën shqipe duke thyer mitet.
“Me paraqet kënaqësi të vecantë dhe nder që marr pjesë dhe që kam mundësinë të drejtohem në Kongresin e Partisë Demokratike Shqiptare” shprehej ai në gjuhën shqipe. Kjo video e siguruar nga historiani Arben Llalla ishte e rrallë për kohën dhe vitet pas përfundimit të luftës së 2001.









