Kompanitë e grupit kinez Shandong (Shandong High Speed) kanë realizuar afro 200 milionë euro të ardhura në Serbi, duke u renditur ndër partnerët kryesorë të Qeverisë së këtij vendi në projektet ndërtimore.
Kjo del nga raportet e tyre financiare për vitin 2025, të analizuara nga Radio Evropa e Lirë, në kohën kur autoritetet serbe vazhdojnë t’i besojnë këtij grupi edhe kontrata të reja.
Në fillim të majit, në prani të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u nënshkrua marrëveshja për ndërtimin e një autostrade të re, që lidh pjesën qendrore me lindjen e këtij vendi.
Rruga prej 90 kilometrash do të kushtojë rreth 1.3 miliard euro, ndërsa Shandong-u është përzgjedhur si partner përmes një marrëveshjeje të drejtpërdrejtë, pa procedura tenderimi.
Ky zhvillim është vazhdimësi e një praktike tashmë të konsoliduar të lidhjes së kontratave me kompani kineze përmes marrëveshjeve ndërqeveritare midis Beogradit dhe Pekinit, të cilat shpesh mbeten jotransparente.
Deri më tani, Shandong-u ka qenë i përfshirë në disa projekte të mëdha shtetërore në Serbi – nga korridoret rrugore në lindje të vendit, te ndërtimi i garazheve nëntokësore në qendër të Beogradit, si dhe segmentet e autostradës drejt Malit të Zi.
Për disa prej këtyre projekteve, shteti serb është financuar përmes kredive nga bankat kineze.
Por, shumë projekte të kompanisë Shandong janë shoqëruar me vonesa në përfundimin e punimeve dhe rritje të ndjeshme të kostove fillestare.
Kompania nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e Radios Evropa e Lirë për këto çështje. Ngjashëm as Ministria e Ndërtimit e Serbisë.
Sa fiton Shandong-u në Serbi?
Grupi kinez, Shandong, ka regjistruar në Serbi më shumë se dhjetë kompani në sektorin e ndërtimit, sipas një analize të Radios Evropa e Lirë.
Aktivitetet e tyre përfshijnë ndërtimin e autostradave dhe hekurudhave, objekteve, instalime elektrike, si dhe projektim arkitektonik dhe tregti me patundshmëri.
Një pjesë e madhe e të ardhurave të këtyre kompanive vjen nga kontratat me shtetin.
Në vitin 2025, kompania realizoi një qarkullim prej mbi 196 milionë eurosh.
Megjithatë, kjo nuk u përkthye në fitime të larta. Shumë prej kompanive e mbyllën vitin me humbje.
Ndër to është edhe më e madhja, “China Shandong International Economic & Technical Cooperation Group Ltd”, e cila regjistroi mbi 10.7 milionë euro humbje.
Kjo kompani është e angazhuar në ndërtimin e rrugës së shpejtë nga Pozharevci në Gollubac, në lindje të Serbisë, e njohur si Korridori i Danubit.
Projekti iu dha në vitin 2021 dhe punimet ende vazhdojnë.
Kostoja e projektit është rritur ndjeshëm – nga 337 milionë euro në rreth 524 milionë euro, ndërsa afati i përfundimit është shtyrë nga viti 2024 në fund të vitit 2026.
Kompanisë “China Shandong International Economic & Technical Cooperation Group” i është besuar edhe ndërtimi i autostradës nga Beogradi, përmes Zrenjaninit, deri në Novi Sad.
Kostoja e këtij projekti, ndërtimi i të cilit nisi në vitin 2023, është rritur ndjeshëm.
Nga rreth 600 milionë euro sa ishte parashikuar fillimisht, vlerësimet tashmë shkojnë deri në 1.7 miliard euro, pasi shteti serb ka lënë hapësirë për këtë nivel huamarrjeje.
Ndërkohë që punimet vazhdojnë në terren, afatet janë shtyrë vazhdimisht. Sipas njoftimeve të fundit, autostrada pritet të përfundojë në vitin 2030.
Të dhënat nga një bazë ndërtimi, të analizuara nga Radio Evropa e Lirë, tregojnë se Shandong-u është ende në faza përgatitore në këtë segment – duke kërkuar leje për vendosjen e kampeve ndërtimore pranë Zrenjaninit dhe Beogradit, si dhe për një bazë betoni.
Lejet ndërtimore për këto punime ende nuk janë dhënë.
Në mesin e kompanive të shumta të Shandong-ut në Serbi, fitimin më të madh gjatë vitit të kaluar – mbi 2.3 milionë euro – e ka shënuar kompania “Shandong Foreign Economic & Technical Cooperation Co. Ltd”.
Kjo kompani ka qenë e angazhuar në ndërtimin e një pjese të rrugës së shpejtë që lidh perëndimin me qendrën e Serbisë, në segmentin Valevë-Llajkovac.
Kompania ka qenë e angazhuar edhe në ndërtimin e dhjetëra kilometrave të autostradës drejt Detit Adriatik, që synon të lidhë Serbinë me Malin e Zi.
Ajo ka ndërtuar segmentet Obrenovac-Ub dhe Llajkovac-Lig, të cilat janë lëshuar në qarkullim në vitin 2019.
Edhe këto projekte janë shoqëruar me tejkalim të afateve dhe rritje të kostove./ REL









